Barazimi që Vllaznia ka marrë pasditën e djeshme në Shkodër ndaj skuadrës së Laçit, natyrisht që ka zhgënjyer të gjithë në Shkodër, teksa pritej një fitore. Në fakt, tifozët e kësaj skuadre presin të njëjtën gjë edhe në ndeshjen e rradhës për kampionat ndaj Teutës, që do të luhet fundjavën e ardhshme në stadiumin “Niko Dovana”.
Megjithatë, tek Vllaznia padyshim që po bëhen edhe llogaritë e ndeshjes së djeshme. Kjo ngaqë prej saj, kuqebutë kanë dalë me pasoja.
Një prej lojtarëve më të mirë të saj në prapavijë, pikërisht mbrojtësi Darko Bulatoviç, është ndëshkuar me karton të verdhë dhe ai kanë qenë i katërti për të, ç’ka do të thotë se do të mungojë në ndeshjen e rradhës ndaj Teutës.
Megjithatë, për Bulatoviç do të gjendet zëvendësuesi, ngaqë do të rikthehet mbrojtësi tjetër Fallou Diagne, një lojtar me peshë në manovrën mbrojtëse të kuqebluve.
Vërtetë, Bulatoviç plotësoi numrin katër, por të mos harrojmë se me nga tre janë edhe Krymi, Latifi dhe Gjurgjeviç. Me këtë logjikë, në çdo ndeshje Vllaznia do të ketë probleme mungesash me kartona.
Në fakt, kuqeblutë duken se janë jashtë çdo lloj objektivi tashmë në kampionat. Kështu, u mbetet të arrijnë objektivin e vendosur, fitimin e Kupës së Shqipërisë, që mund t’i çojë ata në Europë.
Maringlen ZHIVANI