Pas afrimit të Matias Vecino nga Interi, Lazio po mendon edhe për një përforcim në krahun e majtë të mbrojtjes, pasi emrat që ka nuk e bindin Sarrin. Kështu, siç konfirmohet edhe nga “Corriere dello Sport”, për të arritur tek Emerson i Çelsit, patjetër që duhet të ketë një dalje në merkato dhe emri më i përfolur është ai i Elseid Hysajt.

Shitja e shkodranit do të ishte thelbësore për Lazion, por megjithatë nuk ka asnjë ofertë për momentin. Interesi i vetëm erdhi nga Valencia me ish-trajnerin e tij Gatusso, për të cilin luante te Napoli.

Klubi spanjoll ka hedhur hapin e parë, por ende nuk ka ecur në mënyrë konkrete, për shkak të mungesës së burimeve financiare. Lazio është në pritje, teksa duan të blejnë një mbrojtës të ri të majtë.

Më saktë, një futbollist që mund të forcojë skuadrën, por për ta bërë këtë është thelbësore lamtumira e Hysajt. Nga ana tjetër, Lazio mund të mendojë që ta lëshojë atë me kosto zero, pasi sërish nuk do të dilte me humbje, sepse një vit më parë ai iu bashkua Lazios nga Napoli si futbollist i lirë.
Maringlen ZHIVANI