Vllaznia ka mbyllur Europën dhe tashmë po mendon për Superioren. Skuadra kuqeblu është duke menduar për kampionatin dhe fitimin e titullit, teksa kampionati nis më 20-gusht.

Ndërkohë, Vllaznia po kërkon për futbollistë. Skuadra kërkon të plotësohet, për të pasur alternativa për formacionin. Megjithatë, problemi kryesor është se nuk po gjejnë futbollistë cilësorë.

Në këto kushte, nëse nuk gjenden futbollistë, siç e pohoi edhe vetë trajneri Mirel Josa në konferencën për shtyp ditën e sotme, atëherë skuadra aktuale do të marrë pjesë në kampionat. Gjithsesi, do të pritet deri në fund të merkatos, pikërisht në momentin kur mund të ketë futbollistë të lirë.

Tashmë, dihet që Vllaznisë i janë larguar tre futbollistë me peshë, siç janë Mevlan Adili, Victor Da Silva dhe Ardit Krymi, si edhe të tjerë që nuk kishin hapësira. Këtë verë, janë afruar Boshnjaku, Nunesh, Shehi, Vulaj, Juriç dhe Marku, teksa vetëm Shehi dhe Vulaj nuk kanë luajtur titullarë akoma. Kuqeblutë duan akoma futbollistë në organikë, por skuadra do të plotësohet ndoshta në ditët në vazhdim.
Maringlen ZHIVANI