Kampionët e Shqipërisë, Tirana, rrezikojnë të humbasin deri në fund të sezonit një nga lojtarët më të mirë, brazilianin Patrik. Lojtari u dëmtua në ndeshjen derbi në kavilje. Në fillim u mendua se lojtari brazilian do të mungojë vetëm një apo dy javë, por gjërat kanë qenë më të rënda.

Patrik rrezikon të mbyllë sezonin, sepse ka një dëmtim në kavilje dhe në “Thembrën e Akilit”. Një dëmtim pak a shumë i njëjtë me atë të Nejmarit, i cili e ka mbyllur sezonin. Patrik me shumë mundësi nuk do të jetë në 12 sfidat e radhës, çka do të ishte një boshllëk për skuadrën bardheblu.

Patrik është sulmuesi kryesor i skuadrës së Tiranës, duke shënuar 6 gola në këtë sezon dhe duke dhënë disa asiste në ekip. Braziliani ka ardhur këtë sezon te Tirana si zëvendësuesi i De Silvës.

Veç Patrikut, në sulm Tirana ka edhe një tjetër lojtar të dëmtuar. Bëhet fjalë për Kristal Abazajn. Sulmuesi luajti vetëm pak minuta në janar dhe prej asaj kohe është i dëmtuar. Shumë shpejt ai do të jetë në fushën e lojës, ndërkohë që ende nuk është gati për të luajtur nga minuta e parë me fanellën bardheblu.

Kujtojmë që sulmuesit e Tiranës kanë gati 6 ndeshje që nuk shënojnë në kampionat dhe reparti i avancuar është në krizë golash.