Vllaznia-Partizani do jetë kryesfida e javës së 25-të të Superiores që do luhet sot në orën 17:00. Një duel direkt për titullin kampion mes të kuqve kryesues në kuotën e 40 pikëve dhe shkodranëve me 36 pikë. Në “Loro Boriçi” pritet me të vërtetë një spektakël ditën e sotme, në një duel që garanton për gjithçka.

E po të hedhësh një sy, si Vllaznia dhe Partizani kanë nga futbollistët më cilësor të kampionatit. Por të dy ekipet po kanë vështirësi të gjejnë “njeriun gol”, ku edhe “demat” po vuajnë pas largimit të Skukes. Kjo shihet edhe nga statistikat e golave të shënuar nga futbollistët, ku si Vllaznia dhe Partizani varen nga mesfushorët.

Kështu tek kuqeblutë spikat treshja Marku-Jonuzi dhe Mala. I pari është golashënuesi më i mirë i ekipit me 6 gola, i ndjekur nga Jonuzi me 5 të tillë e këtu duke shtuar edhe 3 rrjetat e Males janë 14 gola në total nga kjo treshe e mesfushorëve.

Nga ana e tyre tek Partizani janë Hoti me 5 gola në kampionat, Da Silva me 4 të tillë dhe Rrapaj në kuotën e 2 rrjetave. 11 gola në total nga treshja mesfushore e të kuqve.

Duele shumë interesante priten në repartin e mesfushës. Ku edhe nga statistikat apo edhe ajo çfarë kanë paraqitur ekipet deri në këto momente duket se janë pika e tyre më e fortë. E sot pritet të shihet se cila prej mesfushave do arrijë të bëjë diferencën mes njëra-tjetrës.
Endri ÇINARI