Vllaznia ka vijuar edhe dje përgatitjet për takimin e javës së 27-të që ka përballë Flamurtarit në Vlorë. Të premten kuqeblutë u stërvitën në stadium, ndërsa të shtunën dhe të dielën në orën 11:00 skuadra i është kthyer sërish punës në fushën e Golemit.
Trajnerin Jonuz e shqetësojnë momentalisht vetëm dy nga lojtarët që ka në dispozicion. Kapiteni Gilman Lika po stërvitet individualisht dhe me shumë gjasa do të jetë që sot me grupin. Ndërsa mesfushori Behar Ramadani dhe mbrojtësi Dajan Shehi nuk janë në gjendjen optimale.
Megjithatë, ata vazhdojnë terapinë me mjekun Ilirjan Haxhaja dhe mendohet se deri të mërkurën nuk pritet që të sjellin ndonjë shqetësim për gatishmërinë e tyre. Sot me ekipin pritet që të bashkohen edhe tre lojtarët që do të vijnë nga Maqedonia e Veriut.
Pikërisht portieri Andreja Efremov, mbrojtësi Mevlan Adili dhe sulmuesi Simeon Hristov. Ata kanë pritur për t’u hapur kufiri, prandaj dhe janë bashkuar të fundit me skuadrën. Nuk dihet nëse tre lojtarët do të grumbullohen për sfidën në Vlorë.