Nga Endri ÇINARI

Shkarkimi i Qatip Osmanit dhe stafit të tij ishte me të vërtetë surprizues para 1 jave. Për këtë ka folur në një lidhje direkte për Tv1 Channel, ish-zëvendës trajneri kuqeblu, Bashkim Livoreka. Krahu i djathtë i Osmanit tregoi arsyet e shkarkimit nga presidenca. E po ashtu edhe keqardhjen që e lanë skuadrën në këtë ekip të kampionatit.

Livoreka tha: “Me të vërtetë u surprizuam për shkarkimin tonë. Por ky është një vendim që e merr presidenca, pavarësisht se nuk na la shije të mirë.

Pse e them këtë? E them sepse e morëm ekipi në vendin e parafundit. Në luftë me Kukësin, që tashmë ka rënë nga kategoria e ndërsa Vllaznia është në vendin e dytë. Duhet ti kujtojmë fjalët që kemi pasur në vitin 2023 me presidencën. Ku objektiv ishte kapja e “final 4”, që besoj se e arritëm deri 4 javë para fundit të kampionatit.

Arsyeja e shkarkimit? Eleminimi nga kupa, që nuk ishte aspak një objektiv në fillim. Por meqë tani dolën fjalët se ishte objektiv, atëherë ne e pranojmë. Kjo edhe për respekt të ekipit, qytetit dhe tifozave të Vllaznisë. Unë nuk dua të krijoj polemika, shpresoj që Vllaznia ta mbyllë me sukses deri në fund. Dhe e them sinqerisht që ky ekip i ka mundësitë.

E tregojnë rezultatet se për 5 muaj ishim ekipi më i miri në kampionat. Po ashtu nuk mund të them se ekipi nuk kishte përgatitje fizike. Thjesht ne nuk e kishim luksin e Egnatias apo Partizanit që kanë mundësi për rotacion. Besoj se ia kemi dalë mjaft mirë duke lënë pas Partizanin, Dinamon dhe Tiranën, që patjetër kanë një buxhet më të madh se Vllaznia” ./www.shkodrasport.com/