Sulmuesi i talentuar shkodran, Albi Shpuza, ka gjetur ekipin e tij të ri. Futbollisti 20-vjeçar me shumë përspektivë ka firmosur për klubin kosovar të FC Phoenix, që garon në Ligën e Parë të Kosovës.

Prej pak muajsh, ai ka qenë pjesë e Vllaznisë, por prej disa ditësh ka shkëputur marrëdhëniet me të, duke qenë futbollist i lirë. Si rrjedhojë, “Shkodra Sport” ka mësuar se pas bisedës me drejtuesit e klubit kosovar FC Phoenix, është rënë dakord që ai të luajë për ngjyrat e këtij ekipi, teksa shumë shpejt do të vendoset në dispozicion të trajnerit të kësaj skuadre.

Në janar, Shpuza iu bashkua Vllaznisë me premtimin e drejtuesve të saj se do të ishte edhe në vëmendjen e ekipit të parë, por kjo nuk ndodhi dhe pikërisht prej saj, sulmuesi shkodran nuk pranoi që të qëndronte më me ekipin U-21 të kuqebluve, duke kërkuar të largohej, sepse pretendimet e tij ishin për më lart.

Në këto rrethana, Shpuza ka firmosur në Kosovë me ekipin e FC Phoenix. Në këtë aventurë të re për të, sigurisht që Albi Shpuzës i del për detyrë të bindë drejtuesit e klubit kosovar për vlerat e tij. Gjëja e parë që duhet të bëjë sulmuesi i ri, është të bindë trajnerin kosovar të FC Phoenix për aftësitë e tij.

Ndërkohë, gjatë qëndrimit te Vllaznia U-21 që nga janari i këtij viti, sulmuesi 20-vjeçar u aktivizua në të gjitha ndeshjet, teksa gjeti rrugën e rrjetës katër herë në duele të ndryshme. Më parë, Shpuza ka qenë pjesë e klubit të Partizanit dhe Dinamos, me moshat e këtyre të fundit. Tashmë, mbetet për t’u parë vetëm se si do të shkojë karriera e Albi Shpuzës me ekipin e tij të ri në Ligën e Parë të Kosovës, FC Phoenix.
Maringlen ZHIVANI