Dinamo arriti të rikthehej në Superiore duke qëndruar vetëm 1 vit në Kategorinë e Parë. Presidenti Adrian Bardhi ia ka besuar ekipin trajnerit Dritan Mehmeti. Megjithatë duket se ende nuk është vendosur asgjë. Burime të besueshme pranë klubit dinamovit bëjnë me dije për Newsport.al që Thomas Brdariç mund të jetë arkitekti i ri i 18 herë kampionëve të vendit.

Ish-trajneri i Vllaznisë ka lënë shije pozitive te drejtuesit e Dinamos, të cilët e kanë në konsideratë për sezonin e ri futbollistik. Gjermanit i përfundon kontrata në kampionatin indian me Chennaiyin dhe vitin e ardhshëm mund ta shohim sërish në Superiore.

Gjatë periudhës që drejtoi kuqeblutë, presidenti Bardhi pati shprehur hapur pëlqimin për ta pasur në krye të skuadrës. Por, kontrata me shkodranët e pengoi 48-vjeçarin për të marrë drejtimin e kryeqytetasve.

Pritet me interes të shihet se çfarë do të ndodhë, teksa bashkë me të është edhe drejtori sportiv, Matko Djarmati. Ky i fundit një njohje e vjetër e Dinamos, ku ka kontribuar vite më parë si futbollist i këtij klubi. Tanimë mund të rikthehet sërish si “paketë” bashkë me trajnerin Thomas Brdariç. Gjithçka pritet të zbulohet në fillimet e merkatos së verës./newsport/