Vllaznia ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e rradhës, duke zhvilluar ditën e sotme një seancë të lehtë në Shkodër përpara se skuadra të udhëtonte drejt Kukësit për t’u ndeshur me vendasit. Kështu, trajneri Goçe Sedloski ka provuar në seancën e sotme stërvitore edhe formacionin, me të cilin do të luajë ndaj Kukësit.

Nga ajo që është parë në seancat stërvitore të kuqebluve, Sedloski do të bëjë dy ndryshime të detyruara në repartin e mbrojtjes, aty ku do ta nisin nga minuta e parë Arsid Kruja dhe Dajan Shehi, në vend të kapitenit Erdenis Gurishta dhe Esin Hakaj, të cilët nuk do të jenë me ekipin që të dy për shkak kartonësh.

Sa i përket pjesës tjetër të ekipit, në portë do të jetë Zogoviç, ndërsa në mbrojtje Kruja nga e djathta, Shehi e Juriç në qendër dhe Bulatoviç nga e majta. Titullarë shihen edhe Boshnjaku dhe Marku përpara mbrojtjes. Ndërkohë, treshja Çoba, Jonuzi dhe Latifi do të mbështesin Bekim Balajn në maje të sulmit.

Kujtojmë këtu që, trajneri i ri Goçe Sedloski luan me skemën 4-2-3-1, ndryshe nga paraardhësit e tij Josa dhe Miloti që luanin me 4-3-3. Ndërkohë, ndeshja Kukësi-Vllaznia do të luhet ditën e nesërme në stadiumin “Kukës Arena”, duke nisur nga ora 15:00 dhe do të transmetohet live në platformën TIBO në kanalet e “OverSport”. /Maringlen ZHIVANI/

Vllaznia (4-2-3-1): Zogoviç, Kruja, Shehi, Juriç, Bulatoviç, Boshnjaku, Marku, Çoba, Jonuzi, Latifi, Balaj Tr: Goçe Sedloski