Shkodra ka shumë trajnerë, të cilët me punën e tyre kanë shkruar emrin në historinë e futbollit shkodran. Megjithatë, ka edhe nga ata të cilët nuk janë përmendur shumë, por duke punuar pa zhurmë dhe me shumë përkushtim, kanë patur jo pak arritje.

Njëri prej tyre është edhe Haris Dalipi, ai që momentalisht drejton Vllaznia U-15 dhe që me Kombëtaren rajonale të Shkodrës U-13 arriti të fitojë një trofe ditën e sotme. Në drejtimin e Kombëtares rajonale U-13, Dalipi arriti të evidentojë elementët e rinj cilësor, që luajnë në kampionatet e Shkodrës. Ky trofe i fituar nga ai është padyshim fryt i një pune të gjatë prej tij, i cili ka ndjekur përgjatë gjithë vitit stërvitjet dhe ndeshjet në zonat e Shkodrës.

Për të kaluar tek karriera e Dalipit, fillimisht puna e tij si trajner nisi me ekipin e moshave të Akademisë Vllaznia U-13. Tek kjo akademi, Dalipi ka pesë vite që trajnon grupmoshat e ndryshme dhe në fakt për të evidentuar disa nga futbollistët cilësorë që kanë dalë nga duart e tij, ata janë Gerald Kubazi dhe Aris Ara, që tashmë po luajnë me sukses që të dy tek Vllaznia U-17, duke qenë ndër lojtarët më të mirë të ekipit.

Padyshim, njeriu që besoi tek aftësitë e Dalipit që në fillimet e tij, ishte drejtori i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri, që sot ndihet krenar për suksesin e fundit të trajnerit shkodran. Poashtu, duhet theksuar se Haris Dalipi mund të cilësohet edhe si një “nxënës” i Samuel Nikajt, duke marrë në konsideratë miqësinë dhe lidhjet e ngushta që ata të dy kanë.

Haris Dalipi përveçse si trajner, ka patur një karrierë edhe si futbollist. Ai ka qenë një lojtar që ka luajtur si mesfushor dhe gjatë karrierës së tij ka veshur fanellën e ekipeve të Vllaznisë, Adës dhe Burrelit, me dy të fundit që ka luajtur në Kategorinë e Parë, duke lënë një përshtypje tepër pozitive.

Padyshim që, trofeu i sotshëm i fituar nga Kombëtarja rajonale U-13 e Shkodrës, nën drejtimin e trajnerit Haris Dalipi, është një motivim më tepër për të në aspektin personal. Ambiciet e tij janë për një karrierë të suksesshme në fushën e trajningut dhe hapat e parë duken që janë tepër pozitiv, pasi ky është trofeu i dytë i fituar prej Haris Dalipit, ku më parë ka arritur të sigurojë edhe një trofe tjetër nën drejtimin e Vllaznia U-15.
Maringlen ZHIVANI