Zëvendëstrajneri i Erzenit, Alfred Deliallisi, e sheh barazimin e sotëm ndaj Kastriotit të mirë duke llogaritur krizën e dëmtimeve dhe mungesave të skuadrës. Pas sfidës ai theksoi se ekipi po vuante pak këtë periudhë mungesash por shumë shpejt do të kthehej skuadra që kishte qenë.

“Rëndësia e ndeshjes dihej, presion u duk qartë se ishte shumë i madh. Kjo është një ndeshje me dy tablo. Pjesa e parë mendoj se ishte pak më mirë Kastrioti, në pjesën e dytë mendoj se dominuam lojën dhe me pak besim mund të fitonim ndeshjen. Por dihej rëndësia dhe presioni ishte i dukshëm, ndonëse u munduam të largonim presionin nga lojtarët gjatë javës. Por mendojmë se barazimi ishte rezultati më i drejtë për të dy ekipet.

Për një ekip si ne, mënyra si u ndërtuam e të gjitha, mungesat e lojtarëve janë shumë, kur bëhet fjalë për 5-6 lojtarë. Në pjesën e dytë të sezonit na kanë penalizuar. Sadiki, Asani u dëmtua përsëri, Alan me kartonë. Mendoj se nuk kishim shumë alternativa për të freskuar mesfushën ku me zëvendësime mund të bënim pak më shumë.

Krasniqi është lideri, jo rastësisht kudo që ka qenë ka qenë kapiten i skuadrës dhe lider i padiskutueshëm. Edhe sot tregoi se kem nevojë shumë për një lider si ai, bëri sakrificë të jashtëzakonshme dhe ishte ndër më të mirët në fushë.

Ne do të mundohemi që të marrim ndeshjet një nga një, mendoj se me kthimin e të dëmtuarve do të kthehet ekipi që ka qenë. Besimi është, presioni nuk ka qenë asnjëherë te lojtarët dhe stafi. Punojmë jashtëzakonisht të qetë. Shpresojmë dhe lutemi të na kthehen të dëmtuarit, ky është ekipi që ka bërë krenar gjithë qytetin dhe ky është i njëjti që do të marrë rezultate pozitive”, tha Deliallisi për “Oversport” pas duelit.