Më në fund një lajm i mirë për Shqipërinë! Në mes të një izolimi dhe masave më të ashpra që janë ndërrmarë në Europë, për shkak edhe të faktit se e dinim mjaft mirë çalimin në shëndetësi. Pra me një fluks të parë të numrit të të infektuarve nga pandemia, situata në vendin tonë do të dilte shumë lehtë jashtë kontrollit.

Por kur do të hapet Shqipëria? Edi Rama ka bërë një video live vetëm pak minuta më parë. Këtë herë ka shpresë në fjalët e kryeministrit të vendit tonë, ndryshe nga më parë. Një sinjal pozitiv edhe për vetë futbollin, pasi u tha që në javën tjetër do të zgjerohet edhe më shumë orari i lëvizjes së qytetarëve, ndërsa në datën 4 maj do të kemi edhe më shumë hapësira.

“Situata sot është shumë pozitive, por kush është i mërzitur, le të shoh se çfarë bëhet verdallë. Virusi nuk ikën, derisa të dali vaksina, por ne duhet të bashkëjetojmë me të. Kjo do të thotë se nuk do të rrimë të presim të mbyllur, do të hapemi gradualisht.

E di që ju kanë mërzitur lejet dhe autorizimet, por kjo është një dhimbje koke edhe për mua. Javën e ardhshme do të rrisim orarin e daljes në pazar dhe do hapim rrugët ndërqytetëse për shërbimet taksi. Dhe nga e hëna 4 maj do ta lehtësojmë shumë lëvizjen brenda qytetit, qoftë me këmbë dhe makinë. Gjithashtu do të hapim edhe bllokun e tretë të bizneseve”, ka thënë Rama.

Aktivitetet sportive gjendeshin pikërisht në këtë bllok të tretë, pasi ishte njëkohësisht edhe e fundit, si me rrezikshmëri të lartë. Pra me një përllogaritje të thjeshtë, duke futur edhe 15 ditë përgatitje, nëse stërvitja nis në 4 maj atëherë mund ta kemi Superioren gati për të nisur në 20 maj. /Sport Ekspres/