Në fund të ditës ku u zyrtarizua se Masimiliano Alegri nuk do të jetë në krye të Juventusit nga sezoni tjetër, ka folur edhe presidenti Andrea Anjeli.

Gjatë një darke në mbrëmjen e sotme, Anjeli foli edhe për të ardhmen e Juves, edhe pse nuk e përmendi direkt teknikun Alegri.

“Të fillosh sezonin në 1 korrik dhe të mendosh se e ke të fituar titullin në Itali, është diçka e bukur, por në fakt prapa vjen një punë e madhe, dhe shumë djersë e derdhur. Ajo që e ka dalluar gjithmonë klubin tonë, ka qenë aftësia për të sjellë diçka të re, për ta parë të ardhmen para të tjerëve.

Nga një anë, si president i Shoqatës së Klubeve Europiane, po përqendrohem bashkë me zyrtarë të tjerë, të ridizenjojmë futbollin e së ardhmes. Nga ana tjetër, duhet të kemi edhe aftësinë të konsolidojmë strukturat tona. Kemi bërë mirë me U23 dhe ekipin e femrave të Juventusit.

Me pak fjalë, ky Juventus jeton në të tashmen, por në të njëjtën kohë projekton edhe të ardhmen” – deklaroi Anjeli.