Ardit Krymi e mbylli në mënyrën më të mirë të mundshme eksperiencën me klubin e Vllaznisë. Mesfushori shkodran do të largohet pas 8 vitesh, për të nisur një aventurë të re në kampionatin Bjellorus, te skuadra e Shakhtjor Soligors. Krymi foli pas suksesit në finalen e Kupën e Shqipërisë ndaj Laçit, ku për “Gol pas Goli” u shpreh:
“Kur bën një mbyllje të tillë ndihesh mirë. 8 vite nuk janë pak, jam rritur te Vllaznia. Kontrata që kam bërë është opsion i mirë. Ndikuan episodet, por edhe grupi nuk ishte si sezonin e kaluar, por na penalizmi edhe arbitrimi. Rëndësi ka që fituam Kupën, siguruam, Europën, më bëhet qejfi shumë.
Në javën e fundit të gjitha rezultatet na ndodhën kundër, u bashkuam të gjithë bashkë dhe u motivuam. Kishim besim dhe besoj se ia dolëm mirë.
Me kalimin e minutave e mendova më të drejtë që ta luaj më i sigurtë topin, më mirë pasime të thjeshta se sa ta humbja topin.
Në Shkodër më respektojnë shumë, habitesh kur shikon respektin. I jam mirënjohës gjithë jetën. Futbollit nuk i dihet kurrë. Cilësitë i kemi edhe pse nuk na kanë ecur rezultatet. Kemi në pankinë një ekspert. Ndeshjet e fundit jemi përmirësuar falë profesor Mirelit”, u shpreh Ardit Krymi.