Ish-mesfushori i Partizanit, Ledio Pano, mendon se humbja e të kuqve përballë Kukësit, tashmë e bën shumë më të vështirë rrugëtimin e të kuqve në luftën për trofe në këtë sezon. Këto ditë janë vendimtare për klubin kryeqytetas që do të ndeshet me Vllazninë dhe me Tiranën në sfidat e ardhshme.
Ndaj duke folur në “Oversport”, Pano shpjegoi këndvështrimin e tij se të kuqtë nuk janë në formën optimale për të përballuar ndeshje të tilla dhe ekipi i Kolelës duket se nuk ka ide të qarta të asaj që kërkon të bëjë në fushën e lojës.
“Partizani e humbi ndeshjen që në pjesën e parë. Në pjesën e dytë u mundua të rrezikojë, por pa efikasitetin e duhur. Mendoj që Cara mund të bënte diçka, por ai u zëvendësua. Të tjerët nuk ndihmuan aspak.
Më dukej një Partizan, ku secili mundohej që të bënte gol në mënyrën e vet dhe pa ide. Është një humbje që dhemb. Lufta bëhet më e ashpër, ndeshjet sa vijnë e vështirësohen. Vjen Vllaznia në Kupë, më pas derbi dhe sërish Vllaznia. Kjo periudhë do të jetë vendimtare për ecurinë e Partizanit në Kupë dhe kampionat. Kjo humbje e vështirëson shumë ecurinë e Partizanit në luftën për titullin kampion”, ishin fjalët e Panos.