Hysen Zmijani e shikon më se të mundshëm fitimin e titullit kampion nga Vllaznia. “Mjeshtri i Madh”, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” flet për shanset që kanë shkodranët në këtë fund sezoni, ndeshjen ndaj Partizanit, por jo vetëm. Ai është i bindur se i gjithë presioni në takimin e nesërm është te “demat”.
Sipas ish-mbrojtësit të Kombëtares, Vllaznia është me 70 % fituese e Kupës këtë sezon, por duhet të provojë shanset e saj deri në fund për titullin.
Zmijani, kampionati është futur në fazën më delikate. Si i shikoni dy takimet e fundit të Vllaznisë?
Mund të them se janë dy finale për Vllazninë. Si të gjithë takimet e tjera, edhe këto dy përballje ndaj Partizanit dhe Laçit do të jenë të një shkalle të lartë vështirësie. Megjithatë, kjo vështirësi nuk do të jetë vetëm për Vllazninë, por për të katra ekipet që do të kërkojnë titullin kampion deri në fund.
Sa shanse ka Vllaznia për të qenë kampione?
Vllaznia ka shanse të barabarta, aq sa mendoj kanë edhe ekipet e tjera në garën për titull. Asgjë nuk është e pamundur. Me dy fitore Vllaznia mund të jetë kampione. Në këtë sezon kemi parë se të tria rezultatet janë në lojë mes këtyre ekipeve rivale, për më tepër që janë skuadra më të njëjtin nivel. Për mua Vllaznia nuk duhet përjashtuar nga lufta për titull. Duhet të provojë shanset.
Do të ishte një mrekulli nëse e fiton në kushte të tilla, për më tepër që Partizani është dy pikë para…
E thashë edhe më lart, Vllaznia i ka shanset. Ajo i ka arritur objektivat e saj, kështu që duhet të luajë e qetë në takimet e mbetura.
Çfarë prisni nga ndeshja kundër “demave”, çfarë duhet të bëjë ekipi shkodran për t’i mundur?
Nuk shikoj asgjë të pamundur. Presioni për mua është te Partizani, jo te Vllaznia. Thjesht, skuadra kuqeblu duhet që të bëjë lojën e saj dhe i ka të gjitha mundësitë për të arritur te fitorja. Vështirësitë do të jenë të mëdha, por nuk e shoh të pamundur. Për Partizanin mund të quhet një takim si jetë a vdekje, ndërsa për Vllazninë është i radhës. Titulli nuk ishte një objektiv i vënë nga drejtuesit, por tani është momenti që Vllaznia të luftojë për të marrë maksimumin.
Skuadra shkodrane ka kryesuar për shumë javë kampionatin dhe madje ka qenë e shkëputur me pikë nga ndjekësit. Ku mendoni se gaboi më tepër?
Unë mendoj se skuadra ka bërë gjithçka mirë. Asgjë nuk ka bërë keq. Jemi sërish në luftë për titull dhe në finale të Kupës, kështu që më duhet të them se ekipi ka bërë një sezon shumë të mirë. Nëse e përfundojmë me dy fitore në takimet e fundit do të ishte një mrekulli më vete. Vërtet Vllaznia bëri gabime gjatë rrugës, por në përgjithësi ka bërë më të mirën e mundshme në të gjitha drejtimet.
Fakti që zona europiane është thuajse e sigurt, sa ia lehtëson gjërat ekipit për ndeshjet e mbetura?
Unë mendoj se e ka siguruar Europën, sepse duhet që Vllaznia të humbë të dyja takimet dhe Tirana t’i fitojë për të kompromentuar situatën. Matematika është, por them se ne do të jemi mes katër ekipeve të para dhe patjetër në Europë përmes kampionatit.
Vllaznia luan edhe finalen e Kupës më 30 maj ndaj Skënderbeut. Mendoni se nuk do ta diskutojë trofeun?
Bëhet fjalë vetëm për një takim. Skënderbeu po tregon në këtë fund sezoni se di të fitojë apo barazojë me të gjitha ekipet, qofshin të mëdha apo të vogla. Por, unë me 65-70% e shikoj Vllazninë fituese të Kupës. Nëse nuk arrijmë tiullin, mendoj se këtë sezon Kupa na takon. Kemi patur një nga ekipet më të mira të këtij kampionati.
Privatizimi i klubit, sa mund të ndikojë?
Shumë pozitivisht. Ardhja e një sponsori në klub e dha efektin, por do të jetë edhe më mirë kur Vllaznia të jetë e tëra në dorë të privatit. Bashkia u pa se çfarë mund të bënte, ku në 9 vite u përpëlitem si mos më keq. Me privatizimin mendoj se ndryshimi do të jetë i dukshëm.