Robert Levandovski ka mbërritur në Majemi duke iu bashkuar skuadrës së tij të re, Barcelonës.

Sulmuesi polak është kthyer menjëherë në protagonistin kryesor të Barçës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me mbërritjen e tij në Florida, ylli i ri i katalanasve ka dhënë përshtypjet e para në mediat e klubit.

Ai gjeti rastin të shfaqte objektivat e tij me Barcelonën:

“Unë jam këtu për të ndihmuar Barçën të kthehet në krye dhe të fitojë sa më shumë tituj të jetë e mundur”. Më pas ish-lojtari i Bajernit të Mynihut ka vijuar:

“Më në fund jam këtu. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Barcelonës. Ditët e fundit kanë qenë të gjata, por në fund marrëveshja është bërë realitet.

Unë jam gati të përballoj këtë sfidë të re në karrierën time. Mua më pëlqen të fitoj ndeshje dhe tituj. Shpresoj që sezoni të fillojë dhe të përfundojë mirë në këtë kuptim.

Gjithmonë kam dashur të luaj për një klub të madh në La Liga dhe kjo është një mundësi e madhe për mua. Është sfidë edhe për jetën time private”.

Levandovski ka pranuar se biseda me Ksavin ka qenë shumë e rëndësishme për të vendosur t’i bashkohet Barcelonës. “Pashë që idetë e Ksavit përshtateshin me të miat, ndaj ishte e lehtë për të marrë vendimin”.