Futbollistët shkodranë kanë qenë protagonistë në lëvizjet e tyre në këtë merkato verore. Nga Bekim Balaj që ndërroi ekip në Turqi apo edhe transferimet e futbollistëve në kampionate të tjera. Kështu gjeografia e shkodranëve është zgjeruar me kalimin në kampionate që ndoshta kanë qenë të “panjohur” më parë.
Klejdi Paloka u transferua në formën e huazimit nga Vllaznia tek ekipi i Otrant në Ulqin. Mbrojtësi shtatlart kështu “bashkohet” me një tjetër shkodran në Malin e Zi, siç është Erjon Vucaj tek Deçiçi. Një eksperiencë e re kjo për 20-vjeçarin që mund ti shërbejë shumë në të ardhmen.
Edhe Eraldo Deda bëri një lëvizje surprizë së fundmi me kalimin tek Orikumi. Mesfushori i bashkohet dy shkodranëve të tjerë si: Olsi Shema dhe Kabir Tahiraga, në një projekt ambicioz të Orikumit për sezonin e ri. Pra shkodranët duket se do jenë sërish këtë edicion protagonistë.
Jo vetëm në Superligë, ku thuajse çdo skuadër ka një shkodran në përbërje, por edhe në kampionate të tjera. Futbollistët shkodranë kanë ditur të lënë gjurmë në mbarë Shqipërinë, për të mos thënë edhe në mbarë Europën ku kanë përfaqësuar në mënyrën më dinjitoze traditën shkodrane të futbollit.
Endri ÇINARI