Shkodranët janë krenuar me Akademinë Vllaznia dhe trofetë e shumta që ajo ka fituar në kampionatet ku merr pjesë. Por duket se tashmë gjërat kanë ndryshuar. Bashkëpunimi që drejtuesit e klubit kanë nisur me Akademi jashtë vendit, tregon se në këtë mes ka diçka që nuk shkon.

Këtë e ka shpjeguar më së miri administratori Suad Lici në një prononcim që ka dhënë ditën e sotme për gazetën “Panorama Sport” kur ka thënë: “Një prej problemeve është që kemi gjetur shumë lojtarë me kontrata 3-vjeçare, por që nuk luajnë dhe nuk janë të vlefshëm për ekipin.

Këtyre nuk kemi si t’ia bëjmë. Ka firmosur dikush për ata lojtarë. Unë nuk jam këtu për të vjedhur Vllazninë. Nuk ia shesh askujt fanellën e kësaj skuadre nëse nuk e meriton. Ka struktura klubi dhe gjithçka funksionon në mënyrën e duhur.

Që ditën e parë që ka ardhur drejtori sportiv kemi vendosur që strategjia të jetë për të hapur Vllazninë dhe për ta bërë interesante. Vllaznia U-19 ka meritë që del kampione, por vetëm një lojtar është pjesë e kombëtares. Më mirë të pretendosh të jesh në vend të 10-të, por të ketë prodhim”
© shkodrasport.com