Vllaznia e femrave vijon aventurën në Ligën e Kampionëve, teksa mbrëmjen e sotme do të zbresë në fushë për një tjetër sfidë prestigjioze. Vajzat kuqeblu do të luajnë takimin e dytë në Grupin A, teksa në orën 21:00 do të sfidojnë Çelsin në transfertë.

Pasditen e djeshme, shkodranet kanë zhvilluar edhe seancën stërvitore në Londër.

Në prag të kësaj sfide, trajneri i Vllaznisë, Nikolin Leka, ka deklaruar se ekipi është mjaft i përgatitur dhe se do të japë gjithçka në këtë përballje: “Vajzat janë të gjitha pa përjashtim të gatshme. Është stërvitja e fundit para ndeshjes së nesërme (sotme) dhe duhet t’i japim dorën e fundit, të vendosim për rreshtimin.

Padyshim që e kemi studiuar Çelsin dhe e dimë se është një skuadër mjaft e mirë, por sigurisht që nuk kemi ardhur më kot, do të bëjmë më të mirën e mundshme për t’ia vështirësuar ndeshjen. Do të mundohemi të bëjmë gjithçka është e mundur. Futbolli fizik i tyre është jashtëzakonisht i fortë, pasi është vetë kampionati anglez që e ka një karakteristikë të tillë. Vajzat kanë një karakter të fortë në fushë, kështu që mendoj se do të bëjmë një ndeshje mjaft të mirë”, tha ndër të tjera Leka.

ESMERALDA FRANJA – Në prag të këtij takimi të rëndësishëm është prononcuar gjithashtu edhe kapitenia Esmeralda Franja, e cila ndër të tjera tha: “Sigurisht që është një ndeshje mjaft e rëndësishme për ne, pasi është takimi i dytë në grupet e Champions-it dhe mendoj se do të jetë një ndeshje që do të mbetet histori. Jemi përgatitur mjaft mirë. Shpresoj të bëjmë një paraqitje mjaft të mirë, të gjitha ne. Natyrisht që do të mundohemi të mbulojmë pikat e tyre të dobëta. Padyshim që është një skuadër mjaft e mirë, por do të mundohemi t’ia vështirësojmë sa më shumë fitoren dhe pse jo të marrim rezultate pozitive”, u shpreh Franja.