Viti 2019 siç dihet përkon me 100 vjetorin e krijimit të klubit më të vjetër në Shqipëri, atij “Vllaznia”. Në kuadrin e aktiviteteve që pritet të zhvillohen për këtë përvjetor të rëndësishëm, pritet të jetë edhe një shumë interesant: Ai i shpalljes së “Sportistëve më të mirë të Shekullit”.

Puna për këtë gjë ka nisur në fakt tek Sportklub Vllaznia. Drejtori i tij Mark Kroqi mësohet të ketë mbledhur pak ditë më parë të gjithë trajnerëve e sporteve të ndryshme apo dhe specialistë të ndryshëm dhe u ka kërkuar të nisin punën.

Gjëja e parë që do të bëhet është që në bashkëpunim edhe me veteranë të ndryshëm të çdo sporti, të krijohet një komision i posaçëm. Ky komision do të ngrihet për çdo sport më vete.

Le të themi, basketbolli do të ketë disa veteranë e specialistë që do të mblidhen dhe do të shqyrtojnë të gjitha kandidaturat si për femra ashtu edhe për meshkuj që do të vlerësohen si më të mirë e shekullit. E njëjta gjë edhe për volejbollin, boksin, peshëngritjen, atletikën, çiklizmin e kështu me rradhë për të gjithë sportet.

Në fakt diçka thuajse e tillë u pat bërë edhe me rastin e 90 vjetorit të SK Vllaznia, por kuptohet se që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar dhe në vitin 2019 do jenë vërtetë më të mirët e shekullit.
© shkodrasport.com