Trajneri i futbollit, Haris Lika, ishte i ftuar në emisionin “Sport Arena”, në TV Rozafa, teksa foli për Vllazninë në veçanti. Trajneri aktual i Veleçikut theksoi se faktin se tashmë Vllaznia është shumë larg vendit të parë dhe se skuadra po bën hapa falsë. Gjithashtu, Haris Lika, u ndal edhe tek ndeshja ndaj Partizanit, teksa bëri një analizë të detajuar kësaj ndeshjeje.

“E kam parë, e kam ndjekur gjithë ndeshjen e Vllaznisë. Të them të drejtën, Vllaznia po vazhdon të bëjë paraqitje pozitive dhe kjo e rradhës ishte një e tillë, sepse pastaj ishin gjëra të vogla, që bënë diferenca të mëdha.

Të them të drejtën, duhet të ruhet qetësia në këto ndeshje. Vllaznia duhet të ketë kujdes, sidomos për kartona, sepse të luajnë ekipi për 45 minuta, plus edhe minutat shtesë, me 10 lojtarë, nuk është e kollajtë.

Në pjesën e dytë, nuk flitej më për taktikë, aty ishte pastaj ndeshje egoje dhe dëshire të madhe për të ruajtur rezultatin. Kuptohet ishte shumë e vështirë, sepse hapësirat u bënë shumë të mëdha. Ekipi u tërhoq dhe kishim shumë pak mundësi ofensive. Pjesa e parë qe shumë e bukur.

Në fakt, jam kundër trajnerit të Partizanit, Mehmeti, që thoshte, që vetëm 25 minutat e para na dominoi Vllaznia, përkundrazi, jam i mendimit që krejtësisht pjesën e parë, 40 minutat e para folën vetëm për Vllazninë. Penalltia ishte krejtësisht e saktë për t’u kthyer dhe përsëritur, sepse portieri Hoxha bëri shumë hapa përpara dhe doli krejtësisht jashtë zonës, ku duhet të qëndrojë portieri.

Gjëra të vogla bëjnë diferencën. Një karton i Bitrit aty që nuk u dha do ta kishte ndryshuar krejt lojën. Vllaznia e rrezikoi shumë Partizanin, por në pjesë të dytë kuptohet që çaluan shumë gjërat pastaj. Partizani kishte rastet e veta dhe pak flitej pastaj për taktikë”,-tha ai.

Ndër të tjera, trajneri Lika foli edhe për ndeshjen e rradhës së Vllaznisë që do ta ketë ndaj Skënderbeut, teksa u shpreh se fitorja e Vllaznisë në këtë ndeshje është detyrim, sepse vetëm kështu ajo mund të qëndrojë brenda objektivave të saj.

“Kjo ndeshje ndaj Skënderbeut, është një ndeshje me presion nga të dyja kampet, duke marrë parasysh edhe se Vllaznia në qoftë se do vazhdojë të jetë me objektivin e Europës, e ka për detyrë për të fituar. Presioni është mbi ta dhe e njëjta gjë është edhe nga Skënderbeu, pasi kanë bërë shtatë humbje rradhazi. Janë në vend të fundit dhe një emër i madh si Skënderbeu nuk e “kapërdin” lehtë këtë gjë dhe do mundohen të bëjnë më të mirën e tyre.

Kuptohet që unë kam shumë shpresa se Vllaznia do të dalë e fituar në Korçë, ndaj Skënderbeut”,-tha në prononcimin e tij, trajneri Haris Lika.
Maringlen ZHIVANI