Vllaznia vazhdon përgatitjet për sidat e Europës, me shkodranët që janë duke zhvilluar stërvitjen në Austri.

Në ditën e sotme klubi ka publikuar në “Facebook” disa pamje nga seanca stërvitore, ku është vënë re edhe rikthimi i Liridon Latifit, me futbollistin që është stërvitur së bashku me pjesën tjetër të skuadrës.

Fiks në ditën që zoti Xhaferi e paralajmëronte një gjë të tillë, Latifi është bashkuar me skuadrën në Austri. Një gjë të tillë, e konfirmojnë fotot dhe pamjet që përcjell nga kampingu austriak, fotoreporteri i KF Vllaznia, Mikel Thepina.

Tashmë, mbetet për t’u parë, sesa dhe sesi do të jetë mundësia e rikuperimit përgatitor të Latifit, në mënyrë që ai të jetë gati për ballafaqimet europiane, 21 korrik në Shkodër dhe 28 korrik në Rumani.

Të gjithë i kanë sytë nga Latifi, pasi në një farë mënyre, me Latifin në formën e duhur sportive, Vllaznia është OK në fushën e lojës. Prandaj, konsiderohet shumë e rëndësishme një ecuri pozitive e Latifit.

Kjo mbetet për t’u parë, kur në fakt koha në dispozicion për të riamarrë energjitë e duhura të humbura gjatë kohës që ishte me Covid 19, duket se është e mjaftueshme. Gjithësesi, duhet pritur!