Në këto dhjetë sezone të fundit te Partizani ka kaluar një numër i madh lojtarësh, një pjesë e të cilëve kanë lënë më shumë gjurmë në historinë e të kuqve.
Për disa vite, deri në sezonin 2018-2019 të kuqtë arritën të ndërtojnë një brez të artë dhe të “ngulin” dalëngadalë rrënjët derisa arritën kulmin në fitimin e titullit kampion. Më pas shumica e lojtarëve u larguan, por ata kanë lënë pas gjurmë të thella në historinë e të kuqve.
Formacioni me lojtarët që kanë luajtur më shumë ndeshje me të kuqtë që nga rikthimi në Kategorinë Superiore në sezonin 2012-2013:
Rekordmeni është Alban Hoxha, teksa në këtë formacion 4-3-3 bie në sy një prani e madhe e lojtarëve, që ishin pjesë e skuadrës në vitin e titullit.
Në mbrojtje nuk mund të mungonte dyshja Bitri-Belica, teksa në krahë janë dy “flamuj” të tifozëve, Ibrahimi dhe Trashi.
Mesfusha përbëhet nga Idriz Batha, Jurgen Bardhi dhe Esat Mala, tre lojtarë, që gjithashtu kanë shkruar historinë e tyre si “dema”.
Edhe sulmi është i frikshëm, me Asanin e Mazrekajn në krahë dhe Tedi Carën në sulm, i cili pa u ndierë shumë po vendos emrin e tij në librin e rekordeve të Partizanit.