Një mbrojtës i AEL Limassol është një nga objektivat e Vllaznisë për këtë merkato. Shkodranët po kërkojnë një qendërmbrojtës me eksperiencë dhe mbrojtësi në fjalë, emri i të cilit nuk bëhet i ditur momentalisht, ka tërhequr interesin e drejtuesve shkodranë.

Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, bëhet fjalë për një qendërmbrojtës që ka një eksperiencë të madhe, pasi ka luajtur për skuadra të mëdha në vendin e tij. Kete lojtar shkodranet e kane pare vitin e kaluar kur jane ndeshur me AEL ne turin e dyte te “Conference League”.

Nga sa thuhet, afrimi i tij do të ishte një vlerë e shtuar për kuqeblutë, pasi përveç sigurisë që ofron në mbrojtje ka një eksperiencë të madhe, të cilën do ta vendosë në shërbim të shokëve të skuadrës.

Shkodranët kanë nisur një projekt ambicioz me në krye Josën dhe po kërkojnë të bëjnë një ndërthurje të futbollistëve me eksperiencë me ata të sezonit të kaluar. Këtë e dëshmon edhe rinovimi i kontratave me pothuajse të gjitha titullarët e sezonit të shkuar.

Poashtu, përveç mbrojtësit në fjalë, Vllaznia po kërkon edhe për një mesfushor me tipare sulmuese. Drejtuesit janë në bisedime, por deri tani nuk kanë arritur asnjë marrëveshje.
Maringlen ZHIVANI