Atleti shkodran Lulëzim Çengeli ka arritur të zërë vendin e tretë dhe të marrë medalje të bronztë në turneun ndërkombëtar që u zhvillua në Zenicë të Bosnjës ditën e djeshme. Ky ka qenë rezultati më i mirë që kanë arritur atletët tanë në këtë turne në të cilin kanë marrë pjesë sportistë nga shumë vende të Botës. Dy sportistët e garave të kërcimit, Ergys Gjeçaj dhe Suad Bashku ndërkohë, në kërcim së gjati kanë zënë vend të katërt dhe të pestë ndërsa Jolando Quku nuk është paraqitur ashtu si duhet në garën e 100 metrave. Sportistët kanë qenë të shoqëruar nga dy trajnerët e Vllaznisë, Albert Marashi dhe Fatjon Serhati që ndoshta prisnin edhe diçka më tepër nga ato megjithatë vendi i tretë i Çengelit është për t’u përgëzuar pavarësisht se ai ka konkurruar në garën e 20 vjeçarëve.

Ky sportist në fakt ishte rregjistruar për të marrë pjesë në garën e 400 metrave  që është e preferuara e tij, por kjo garë nuk është zhvilluar nga organizatorët dhe për rrjedhojë ai ka kaluar tek të rinjtë duke bërë një paraqitje shumë të mirë dhe duke zëne vendin e tretë me kohën 22″82. Kjo ka bërë që ai të ngjitet në podim në fundin e garës. Në kërcim së gjati, Gjeçaj ka kërcyer 6.59 m duke zënë vendin e katërt ndërsa Bashku me 6.45 m ka zënë vendin e pestë. Duke folur në lidhje me këtë aktivitet, një nga trajnerët e Vllaznisë që ka shoqëruar sportistët në këtë turne, Fatjon Serhati, për telesport.al do të shprehej: “”Unë do ta konsideroja si pozitive këtë pjesmarrje sepse niveli i sportistëve që morën pjesë në këtë turne ishte shumë i lartë. Përveç sportistëve nga Ballkani kishte pjesmarrës edhe nga Kenia, Brazili, Maroku, Venezuela, Ukraina etj. Sportistët tanë kapën rezultatet e tyre dhe natyrisht që vendi i tretë i Çengelit mund të konsiderohet një rezultat shumë i mirë. Tashmë do bëhemi gati për kampionatin kombëtar që zhvillohet javën tjetër dhe ku Vllaznia patjetër që synon titullin kampion”.

www.shkodrasport.com