Atletët e Vllaznisë janë shpallur kampionë të Shqipërisë në garat e kampionatit kombëtar të vrapimit në mal. Ky kampionat është zhvilluar ditën e djeshme rreth Kodrave të Liqenit Artificial në Tiranë dhe në të kanë marrë pjesë atletët më të mirë të Shqipërisë dhe të Kosovës. Në garën e 12 kilometrave, kanë dominuar atletët shkodranë të cilët në renditjen individuale kanë arritur të zënë vendin e dytë me anë të atletit Bledar Mesi dhe vendin e tretë me anë të Vladimir Haxhiajt. Ndërkohë në renditjen ekipore, ekipi I Vllaznisë ka dominuar mbi të tjerët duke zënë vendin e parë dhe duke u shpallur kampion I Shqipërisë edhe për këtë vit.

Një sukses ky I këtij ekipi që në përbërje të tij përveç dy atletëve të mësipërm, Mesit dhe Haxhiajt, pati edhe dy sportistët e tjerë, Ervin Kuçin dhe Josif Agollin. Ekipi ka qenë I drejtuar nga trajneri- sportist Bledar Mesi dhe tregon se edhe në këtë disiplinë sportive, Vllaznia e tregoi veten duke u shpallur kampione e vendit. Një kupë që vjen vetëm pak ditë para garave të kampionatit kombëtar të të rriturve që do të zhvillohen në kryeqytet pikëisht në datat 9-10 qershor. Edhe në këtë kampionat, ekipi shkodran ka një objektiv të vetëm, zënien e vendit të parë dhe shpalljen kampion edhe për vitin 2015. Atletika shkodrane në këtë mënyrë vazhdon ta thotë fjalën e saj ashtu si duhet duke dominuar mbi të gjithë ekipet e tjera dhe jo vetëm me të rriturit por me të gjitha grupmoshat. Kjo falë punës shumë të mirë që sportistët dhe trajnerët e saj bëjnë çdo ditë në stërvitje, ndonëse në kushte të vështira.

Gjergj KOLA