Ditën e djeshme drejtuesit më të lartë të klubit Vllaznia por edhe ato të Akademisë, janë nisur drejt Gjermanisë. Arsyeja është bisedimet me një firmë e cila merret me tregtimin e bazës materiale në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për veshjen edhe të ekipit të parë por edhe të gjithë ekipeve të Akademisë Vllaznia. Kalamishi, Grima e Neziri do të jenë deri nga fundi i javës atje dhe mendohet që të arrijnë marrëveshjen e duhur për sezonin e ardhshëm. Klubi shkodran në këtë mënyrë ia ka nisur nga e para përgatitjet për të ardhmen.

Duke filluar nga sigurimi i bazës materiale, më pas do të mendohet për vendin se ku do të zhvillojë fazën përgatitore dhe më pas edhe për merkaton. Pavarësisht vështirësive momentale, kuqeblutë pritet të ndërtojnë një ekip simpatik për sezonin tjetër dhe pse jo, nëse do gjendet edhe ndonjë donacion, do kërkohet zënia e një vendi që do t’i çonte në Kupat e Europës.
© shkodrasport.com