Kanë mbetur vetëm 9 ditë nga dita kur do të zhvillohet Asambleja Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Boksit dhe atmosfera tashmë ka filluar të nxehet. Siç dihet, “lufta” ekziston në mes dy grupeve dhe prej kohësh, kanë filluar edhe përplasjet. Nga njëra anë, është presidenti aktual i Federatës Gjergj Leqejza dhe pjestarë të tjerë të këtij institucioni ndërsa në krahun tjetër janë shumica e ekipeve të vendit të cilët tashmë kanë propozuar për president një emër tjetër, atë të Florend Kalivopulit. Ky i fundit është propozuar nga 11 klube dhe shoqata sportive ndërsa presidenti aktual Leqejza është propozuar nga vetëm 4 klube e shoqata. Arsyeja e “nxehjes” së situatës ditët e fundit ka qenë shpërndarja e materialeve të Asamblesë tek të gjithë anëtarët e saj dhe në pikat e rendit të ditës janë vërejtur disa parregullsi ashtu si dhe tek numri i pjesmarrësve me të drejtë vote. Sipas Zef Gjonit, një nga njerëzit që prej kohësh ka dalë hapur kundër presidentit aktual, e çuditshme është se ditët e fundit janë shtuar shoqata fantazëm në listën e të mandatuarve për të marrë pjesë në zgjedhje. “Duket se drejtuesit aktualë të Federatës nuk kanë ndër mend të largohen me të mirë nga drejtimi i saj. Pranuam që të zhvillohej Asambleja Zgjedhore duke menduar se gjërat do shkonin rregullisht por po shohim veprime absurde të drejtuesve të këtij institucioni duke shtuar shoqata fantazëm në listën e atyre që kanë të drejtë të votojnë. Do ta kenë këtë mundësi shoqata që nuk ekzistojnë dhe të tjera që sapo janë krijuar dhe ende nuk janë të rregjistruara në Gjykatë. Kjo është e turpshme megjithatë besoj se këto njerëz do ta marrin përgjigjen e duhur në Asamble. Në çdo aktivitet që zhvillohet maksimumi i klubeve dhe ekipeve që marrin pjesë është 10 apo 11 ndërsa me të drejtë vote janë plot 21 të tilla. Madje duke lënë jashtë edhe Tiranën për një problem të vogël të krijuar dhe ndonëse drejtuesit e klubit kanë njoftuar me shpresë zyrtare se kush do jetë përfaqësuesi me të drejtë vote i tij në këto zgjedhje. Ndërkohë, nga ana tjetër, prej tre ditësh dy boksierët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Europiane, pikërisht Rexhildo Zeneli dhe Alban Beqiri, janë grumbulluar në Shkodër. Federata Shqiptare e Boksit dhe Komiteti Olimpik Shqiptar nuk kanë patur mundësi financiare të bëjnë një grumbullim të tillë dhe kjo në fakt është marrë përsipër nga njeriu që pretendon të zgjidhet në postin e presidentit të kësaj Federate, Florend Kalivopuli. Gjithmonë nëse manipulimet e këtyre zgjedhjeve nuk vazhdojnë ashtu siç thuhet të kenë filluar prej ditësh duke sajuar si pjesmarrës në Asamble me të drejtë vote edhe disa “shoqata fantazma”.

© shkodrasport.com