Pas 5 viteve të shkëlqyera që ka kaluar tek Vllaznia, Dritan Smajli mund të rikthehet sërish në Shkodër. Këto janë lajmet e fundit që qarkullojnë në kampin kuqeblu. Fakti që mbrojtësi lezhjan u largua nga Kukësi pak kohë më parë si pasojë e polemikave me stafin serb të tij, do të thotë se tashmë që ky staf u rikonfirmuar sërish në krye të kësaj skuadre, nuk do ketë më vend për të në përbërje të saj. Siç raporton telesport.al, 30 vjeçari kësisoj natyrshëm që do ta priste me kënaqësi një ofertë nga Vllaznia, skuadër me të cilën ka kaluar periudhë më të suksesshme në karrierën e tij dhe ku ka lënë një përshtypje dhe imazh shumë të mirë tek tifozët e saj. Megjithatë për momentin këto janë vetëm parashikime sepse as nga lojtari dhe as nga stafi teknik i Vllaznisë nuk kemi një prononcim në lidhje me këtë çështje. Fjalën e fundit kuptohet që do ta thotë trajneri Zmijani. Ai ka aktualisht në skuadër në rolin e mbrojtësit të djathtë ku luan Smajli, pikërisht Olsi Gocajn, një lojtar me një rendiment shumë të kënaqshëm dhe stabël në formacion gjatë gjithë këtyre viteve të fundit. Por, ardhja e mundshme e Smajlit mund të bënte kalimin e Gocajt në rolin e mesfushorit të krahut, aty ku i pëlqen ndoshta më shumë. Gjithsesi edhe për pak ditë mund të jetë herët të flasim për këtë çështje. E rëndësishme të thuhet është ajo që Dritan Smajli ka luajtur për 5 sezone me rradhë në “Loro Boriçi” duke qenë një nga pikat më të forta të skuadrës. Nga ana tjetër, duhet pranuar edhe një “fat i keq” për këtë mbrojtës të djathtë, një nga më të mirët e kampionatit shqiptar. Iku nga Shkodra sepse nuk fitoi asnjë trofe, por nuk ia doli dot as në dy vitet që qëndroi tek Kukësi. Ndodh edhe kështu!
© shkodrasport.com