Humbja e Vllaznisë 3-0 në transfertë ndaj Egnatias, ka lënë një keqardhje në opinionin sportiv shkodran. Lëvizjet në formacion, qoftë në emra, por edhe në pozicionet e vendosjes së futbollistëve në fushën e lojës, u shoqëruan me kritika, jo vetëm nga njerëzit e futbollit, ish-futbollistë dhe analistë sporti, por edhe nga tifozëria shkodrane, e cila ndjehet e zhgënjyer nga skuadra e tyre e zemrës.

Tashmë, prej disa vitesh aktiv në rolin e analistit të futbollit, Fatmir Lugji, foli rreth këtij takimi për “RTSH Shkodra”, i cili u shfaq zhgënjyes dhe kritik në intervistën e tij.

“Vllaznia është një emër i madh i futbollit shqiptar. Tifozët dhe sportdashësit shkodranë vazhdimisht kërkojnë që Vllaznia të jetë kampione, por duke parë situatën aktuale të Vllaznisë mund të themi se janë disa probleme teknike, taktike, pse jo edhe organizative.

Vetë realiteti i ndeshjeve të Vllaznisë, vetë shkaku i largimit të trajnerit Brdariç, tregon që tek Vllaznia nuk shkon diçka si duhet. Prandaj, mendoj që drejtuesit e Vllaznisë duhet t’i shikojnë me përparësi ndeshjet e tjera në vazhdim dhe të synojnë objektivat e tyre për përfshirjen në Kupat e Europës.

Eksperiencat në ekipet shqiptare kanë treguar që largimet e trajnerëve dhe zëvendësimet e tyre me të tjerë, kanë ndikuar negativisht tek ekipet në fjalë. Përmend këtu, Partizanin, Skënderbeun, Egnatian. Kështu që, edhe te Vllaznia, padyshim psikologjia e lojtarëve dhe e tifozëve ka bërë që të reagojnë shumë në këtë drejtim.

Megjithatë, mund të themi që trajneri i Vllaznisë, Brdariç, ka pasur anë shumë pozitive, qoftë në përgatitjen e lojtarëve në aspektin teknik, taktik dhe psikologjik dhe rezultatet që ai ka pasur, pavarësisht nga mendimi i drejtuesve dhe shkaku se përse u hoq ai nga drejtimi.

Nuk më shqetëson afrimi i Plorit si kryetrajner, por më shqetëson afrimi i Milotit si zv/trajner. E para, Plori, ka një eksperiencë, sepse ka punuar në disa skuadra të futbollit shqiptar dhe rezultatet kanë qenë pozitive. Aq më tepër që Plori është pjesë e ekipit të Vllaznisë, e njeh në brendësi Vllazninë, dhe ka qëndruar gati për dy vite bashkëudhëtar me trajnerin Brdariç.

Kështu që, nuk e shikoj si ndonjë problem zëvendësimin e ish-trajnerit me Plorin. Megjithatë, ajo që më bën përshtypje është mendimi i drejtuesve të Vllaznisë, që përpara se të fillojë kampionati, ato kanë reklamuar se do të jemi kampion, do të jemi në Kupat e Europës dhe, në vazhdimësi të ndeshjeve, ato kanë bërë një punë jo të mirë, jo sistematike, nuk janë plotësuar kushtet optimale të skuadrës, lojtarëve dhe të stafit teknik.

Personalisht unë e kam paracaktuar ndeshjen në Rrogozhinë, sepse Egnatia ka krijuar një ekip shumë të mirë dhe me element shumë të mirë, dhe me një buxhet të mirë. Vetë fakti që në ndeshjen e mëparshme në Shkodër, Egnatia ishte pothuajse fituese, të lë të gjykosh se stafi teknik duhet të kishte punuar më mirë për organizimin e lojës së Vllaznisë.

Megjithatë, ka disa probleme. Është problemi i moralit, ana psikologjike, humbja me Tiranën, zëvendësimi i trajnerit Brdariç, të gjithë këto kanë bërë, që lojtarët e Vllaznisë të bien moralisht.

Megjithatë, duhet të theksoj se në pjesën dërmuese të lojtarëve të Vllaznisë, 50% të tyre nuk kanë dhënë maksimumin. Arsye objektive, apo subjektive, nuk e di. Megjithatë, dua ta theksoj këtë, sepse Krymi nuk ka qenë në lartësinë e duhur. E kemi parë atë që në çdo ndeshje të japë maksimumin, kurse tani ka qenë inferior.

Edhe rasti i Heriç, ishte një karton i kuq i qëllimshëm. Arsyeja, pse, duhet vetë drejtuesit e Vllaznisë dhe stafi teknik, ta analizojnë. Megjithatë, unë mendoj që tek ekipi i Vllaznisë, te disa lojtarë të Vllaznisë, ka “mish dhie” dhe, mendimi i tifozërisë që loja shitet dhe shumë gjëra të tjera, duhet analizuar me përparësi, sepse ka të ngjarë që kjo të ndodhë, dhe kjo është shumë e dëmshme për Vllazninë.

Vllaznia është një ekip i paparashikuar. Askush nuk mund ta parashikojë Vllazninë, askush nuk mund të thotë që Vllaznia nuk hyn në Kupat e Europës, apo hyn në Kupat e Europës. Faktikisht, Vllaznia është në “vallen” e Kupave të Europës, dhe unë shpresoj, mendoj dhe sugjeroj drejtuesve dhe stafit teknik, sepse ka mundësi që Vllaznia të jetë në vendin e dytë, ashtu siç ishte e vitin e kaluar, sepse, janë 10 ndeshje, janë 30 pikë, dhe Vllaznia është një ekip që mund të surprizojë.

Ndërkohë, për problemin e Kupës së Shqipërisë, unë e shikoj shumë të vështirë, sepse ka ekipe si Partizani, Teuta, që kanë ikur nga zona europiane në kampionat, dhe synimi kryesor është Kupa për to.

Megjithatë, vetë situata e Vllaznisë të lë të dyshosh, që Vllaznia ose do të ngrihet ose do të shkojë shumë poshtë, sepse, kemi edhe një problem që po e konstatojmë, se ekipet e mbijetesës që mund t’i quajmë, 4-5 ekipe, sidomos tani në fundin e kampionatit, po bëjnë një lojë të shkëlqyer me ekipet e para dhe është një diferencë shumë e vogël mes ekipeve që do të bien nga Superiorja dhe atyre që kërkojnë Kupat e Europës. Prandaj, është një thikë me dy “presa” në këto 10-të ndeshjet e fundit”,-mbylli prononcimin e tij, analisti Fatmir Lugji.
Maringlen ZHIVANI