Fatmir Lugji, ish-futbollisti i Vllaznisë, me të cilën ka fituar edhe trofe me këtë skuadër, është bërë shumë i njohur në cilësinë e analistit të sportit, sidomos në studiot televizive të Shkodrës, por edhe më gjerë. Ajo që e ka veçuar Lugjin me të tjerët ka qenë qëndrimi kritik, që ka mbajtur gjatë periudhës, kur realisht Vllaznia kishte probleme, jo vetëm me rezultatet, por edhe me menaxhimin që i bëhej klubit.

Ndërkohë, siç konstatohet qartë edhe nga komentet e herëpashershme që ai përcjell në opinionet e tij, tek Lugji ka sërish një qëndrim kritik. Vlerësimet negative për këtë Vllazni që nuk po kënaq askënd, ai nuk i ka kursyer, ku më së shumti ai ndalet tek drejtori Matko Djarmati, ndaj të cilit përcjell komentet më negative për punën e tij.

Lugji flet edhe për stafin teknik të Vllaznisë, teksa shprehet se ky staf nuk është në gjendje të nxjerrë shkodranët nga gjithë këto problematika që kanë.

“Tek Vllaznia përgjegjësia është individuale. Nuk ka përgjegjësi kolektive dhe për mua personalisht drejtori teknik, kroati Djarmati, është pika më e zezë e Vllaznisë, që nga fillimi deri në këto momente. Nuk e di pse Djarmati nuk e ka atë vlerë njerëzore, atë karakter. Ai duhet të largohet me turp nga Vllaznia.

Kështu që, është përgjegjësia e tij. Në qoftë se, do të shohim kronologjinë e punës së Djarmatit, e filloi që nga përbërja e ekipit, formimi i ekipit, do të shohim me Dungën, sepse ka dalë nja tre intervista përpara që ka thënë, ka shkuar tek familja për pashaportë dhe kartë identitetit, etj, etj dhe enigma Dunga ende nuk është zbardhur, sepse ende nuk dihet as se është shitur, as se ku kanë shkuar lekët e Dungës.

Tjetër, ka përgjegjësi personale për ekipin, përgjegjësi personale për stafin teknik, të cilin për mua, ai është i dështuar. Tjetër, stafi teknik. Nuk më bind. Jo nuk më bind, por nuk është në gjendje të akumulojë gjithë këto problematika që ka Vllaznia dhe ta nxjerrë Vllazninë në dritë.

Mendoj që Vllaznia është një tren zhavorrit, me vagona të ndryshkur, me një lokomotivë domethënë që nuk vlen. Tani, ne duhet të mendojmë seriozisht për të ardhmen e Vllaznisë.

Lojtarët që luajnë me Vllazninë, e kanë njollosur, e kanë zhvlerësuar fanellën e Vllaznisë, stemën e Vllaznisë. Ato nuk ndiejnë absolutisht asgjë për Vllazninë.

Nuk e di si do të justifikohet një futbollist si Latifi, që pretendohet, që ka ardhur për të qenë “zemra” e Vllaznisë. Si mund të pretendohet për Da Silvën? Si mund të pretendojmë për Vllazninë, kur ka një përgatitje zhele?

Pse ka ardhur kjo përgatitje fizike? Po përgatitje psikologjike që thuhet domethënë pas golit? Ajo ka humbur krejt. Si ka mundësi? A ju vjen ndonjë fije zor, turp dhe çdo gjë tjetër lojtarëve për tifozërinë, pasi kjo tifozëri domethënë është shumë e zjarrtë.

Po i përkrah dhe në fund duartroket ekipin e Kastriotit. Eshtë një zero e madhe. Nuk do flas për administratën e presidentit Alban Xhaferi, sepse nuk kemi çfarë të folim, sepse janë jashtë futbollit. Nuk dinë se çfarë është futbolli.

Nuk dinë se çfarë është menaxhimi i një sportit, prandaj ne dështojmë, por fatkeqësia më e madhe e kësaj Vllaznie, është ish-kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi. Ajo e ka fundosur për 7 muaj, ajo e dha Vllazninë në dorë të pasigurtë. Do ta shohim realitetin ku do shkojë Vllaznia”,-tha gjatë prononcimit të tij, analisti i sportit, Fatmir Lugji.
Maringlen ZHIVANI