Prej kohësh tashmë Real Madrid e Barcelona mund të konsiderohen me plot gojë si 2 nga klubet më të mira në botë, me “gjigandët” spanjollë që rrallë herë nuk arrijnë të fitojnë qoftë edhe 1 titull sezonal.

Të cilësuar nga shumë lojtar si klubet më të mira të botës, një koment të tillë e ka bërë dhe “legjenda” e të dy klubeve, Luis Figo, me ish-“fantazistin” e mesfushës portugeze, që e konsideron veten me fat që luajti për të dyja skuadrat.

“Dy klubet më të mira në botë. Ata gëzojnë prestigj mbarëbotëror dhe kanë një numër të madh fansash. Unë isha me fat që luajta në të dyja”,- tha Figo në komentin e tij të shkurtër, për “gjigandët” iberikë.

Ndërkaq, kujtojmë se portugezi luajti te “katalanasit” e Barcelona nga viti 1995 deri në vitin 2000, përpara se të transferohej te “galaktikët” e Real Madrid, me fanellën e të cilëve do të luante deri në vitin 2005./abcnews/