Luiza Gega, atletja që u shpall kampione Europe të shtunën në mbrëmje në Mynih, është pritur me anë të një ceremonie në aeroportin “Nënë Tereza”.

Për ta pritur kampionen e Europës kishin dalë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, e shoqëruar nga presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, nga presidenti i FSHA, Gjergj Ruli, si edhe sekretari i përgjithshëm i KOKSH, Gerti Shima.

Ndërkohë, në fjalën e saj, Luiza Gega është shprehur se i është dashur të jetojë larg familjes vetëm për një sukses të tillë, ndërsa theksoi se në dy vitet e fundit edhe shpërblimi i sukseseve ka qenë maksimal.

“Më është dashur të jetoja larg familjes vetëm për këtë gjë. Ka ndryshuar mbështetja financiare, qoftë kjo nga Bashkia dhe nga klubi i Tiranës. Dy vitet e fundit ka ndryshuar shpërblimi për sportin dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Mezi pres të takoj familjen time, pasi nuk kisha mundësi të takoja as mamanë time. Nuk mundesha dot të lija stërvitjen në mal për këtë ëndërr. Nuk do të doja të zgjidhja asgjë tjetër për këtë gjë. Jam shumë e lumtur që sot u shpërblye çdo sakrificë e imja”, është shprehur gjatë kësaj ceremonie, Luiza Gega.
Maringlen ZHIVANI