Opinion nga Ervin BAKU

Lup-Java e “12”-të pati pak për të evidentuar, pasi në duelet e javës logjika ishte thuajse te të gjitha ndeshjet. Jashtë parashikimeve, vetëm përballja e Laçit, teksa vendasit pritej të mos dilnin pa pikë. Në fakt takimi që hapi dhe serinë e “12”-të ishte jo vetëm ndeshja më e bukur e javës, por edhe ajo që prodhoi ngjarje e dhunë. Tashmë duhet “protokolluar” (për të mbetur te titulli i Lup-Javës)! Sa herë ndeshen Laçi dhe Kukësi, vëmendje…! Sepse ku më shumë e ku më pak, në duelet e tyre, përpos futbollit të fushës (lojtarët mes tyre, super-korrekt), ka lajm.

Nuk kapërdihet marrëdhënia mes tifozërive, që në çdo rast ngjan me prapaskenat e “njësiteve guerile”. Pasqyrë e komunikimit dhe marrëdhënieve të ftohta të vetë stafeve në drejtim. Pas ndeshjes së fundit, incidente. Pavarësisht se kush ka të drejtë…e turpshme! Partizani bën gjithçka për të dalë ftimtar ndaj Skënderbeut në Tiranë. Edhe pse të kuqtë duket se kanë përparuar në “erën” Starova, ndaj skuadrës më të mirë të dekadës së fundit në Shqipëri nuk shkojnë më shumë se barazimi. Trashi dhe Sukaj “falën” Skënderbeun. Korçarët rrugëtojnë të qetë në krye…! Në Shkodër “rilind” Vllaznia. Këtë radhë, Gjoka me klasin e Likës futbollist ia del të gjunjëzojë Likën trajner të Luftëtarit duke i spostuar provizorisht në vendin e parafundit në tabelë. Bluzinjtë, në vështirësi. Në Vlorë luhet sa për “radhë”. Pa tifozë dhe pa nerv, Flamurtari e Teuta e mbyllin me “flamur të bardhë”. Skuadrat me “laps në dorë”! Te përballja e Kamzës historia është “një”: Sukses dhe vazhdimësi olimpike e ekipit të “Dane Ndreut”! Kur në fillim të edicionit “Lup-Java” e vendoste ekipin kamzali në pesëshen e parë, tek-tuk u pa ndonjë skepticizëm. Tani që Sebino Plaku me shokë bëjnë “çorap” skuadrat në radhë, mjaftohemi me togfjalëshin: “Surpriza e kampionatit”. Thjesht…protokoll!