Ndeshja e javës së 27-të të Superligës, ajo në mes Lushnjës dhe Vllaznisë do të zhvillohet ditën e dielë. Kështu ka vendosur Federata Shqiptare e Futbollit. Ky takim do të luhet në orën 14.00 në stadiumin “Roza Haxhiu”. Ndonëse luhet ndaj njërës prej skuadrave që konsiderohet e rënë nga kategoria nga Superliga, ky takim duhet vlerësuar në maksimum. Kampionati tashmë ka hyrë në një rrugë shumë të vështirë dhe kuptohet që nuk lejohet asnjë gabim. Dy fitoret e fundit, ato ndaj Laçit dhe ndaj Skënderbeut, e kanë rritur shumë moralin e kuqebluve. Madje, jo vetëm të tyre. Atmosfera në Shkodër duket shumë entuziaste. Tifozët tashmë kanë më shumë besim tek skuadra dhe kjo është parë edhe në mbështetjen që I dhanë skuadrës në ndeshjen e fundit. Trajneri Dervish Haxhiosmanoviç pritet që të ketë të gatshëm të gjithë futbollistët për këtë takim me përjashtim të Shtubinës që ka plotësuar numrin tre të kartonave të verdhë dhe do të jetë I skualifikuar për këtë takim. Mungesa e tij natyrisht që konsiderohet e rëndësishme pasi ai po kalon një moment të mirë dhe po ashtu, është shfaqur përcaktues me golat e tij në dy ndeshjet e fundit. Pavarësisht kësaj, kjo mungesë pritet që të mos e ulë objektivin e Vllaznisë për këtë takim për të fituar me çdo kusht. Kur kanë mbetur edhe shtatë javë deri në fund të kampionatit, lufta sportive Brenda dhe jashtë fushe ka filluar të bëhet edhe më e fortë dhe kuptohet që duhet gabuar sa më pak të jetë e mundur.

www.shkodrasport.com