Spanja mban frymën pasditen e sotme. Madridi pret të mësojë se cili ekip do të jetë fituesi i La Ligës, Atletiko apo Reali. Kampionati spanjoll luan sot aktin e fundit për këtë sezon dhe në 90 minuta do të mësohen verdiktet përfundimtare.

E vetmja gjë e sigurt është që kupa do të jetë në Madrid, pasi të dyja skuadrat e vetme në garë për titullin janë të kryeqytetit spanjoll. Për këtë arsye, institucionet përkatëse për ruajtjen e rendit dhe qetësisë kanë marrë masa të shumta duke blinduar kryeqytetin. Do të ketë afro 1000 forca policie në dy sheshet kryesore të Madridit “Neptuno” dhe “Cibeles”, ku pritet që të ketë festë nga ana e dy tifozërive përkatëse. Shumë agjentë do të jenë të organizuar dhe të tjerë në terren për të mos lejuar grumbullimet e tifozëve për shkak të pandemisë “COVID” dhe shtimit të numrave të të infektuarve.

LLOGARITË – Atletiko e Madridit është padyshim favorite për të fituar titullin kampion në këtë sezon sepse ndodhet në vendin e parë dhe i ka në dorë fatet e saj. Sot në 18:00 do të luajë në transfertë kundër Vajadolidit, skuadër e cila ka si objektiv qëndrimin mes më të mirëve të kampionatit. Do të jetë një sfidë e luftuar edhe për faktin se pronari i kësaj skuadre është “Fenomeni” Ronaldo, i cili ka raport shumë të mirë me Zidanin dhe me presidentin Florentino Perez. Përveçse skuadra e tij duhet të bëjë detyrën për të mbijetuar, mund t’i bëjë nder edhe Realit. Këta të fundit do të presin në “Alfredo di Stefano” skuadrën e Vijarealit.

Ekipi i Zidanit, përveçse duhet të marrë 3 pikët në këtë ndeshje, duhet të shpresojë që Atletiko të ndalet dhe të mos bëjë të njëjtën gjë. “Galaktikët” kanë një avantazh sepse nëse dalin me pikë të barabarta do të fitonin titullin kampion për shkak të ndeshjeve direkte mes tyre. Me shumë mundësi kjo do të jetë ndeshja e fundit e trajnerit Zinedin Zidan, i cili ka dhënë sinjalet për një largim të mundshëm në fundin e këtij sezoni të rëndësishëm. Por, kjo gjë kalon në plan të dytë dhe mund të ndodhin shumë gjëra në rast se fitohet titulli kampion.