“San Siro” është skena e madhe e Champions League sonte. Inter do kërkojë kualifikimin në fazën tjetër të Champions League dhe për këtë duhet të mundë Barcelonën, që ka vendosur të lërë pushim yllin e saj, Leo Messi. Gjithashtu edhe Pique është lënë në shtëpi, kurse lojtarë si Semedo, Alba dhe Dembele janë të dëmtuar.

Edhe në kampin zikaltër ka probleme: Sensi, Candreva, Barella dhe Sanches mungojnë për arsye dëmtimesh. Gjithsesi uria është e madhe në kampin zikaltër dhe do bëhet gjithçka për të fituar. Dortmundi, që ka gjithashtu shtatë pikë, pret në shtëpi Slavia Prague dhe nga ana tjetër pret një dhuratë nga Barcelona.

Liverpool dhe Napoli janë dy skuadrat e para sot që zbresin ën fushë, prej orës 18:55, dhe do kërkojnë kalimin e fazës së grupeve. Italianët presin skuadrën e Genk, kurse “The Reds” luajnë në transfertë me Salzburg.

Grupi H ka shumë pikëpyetje. Ajaxit të vendit të parë i mjafton një barazim në shtëpi me Valencian, kurse Chelsea është i dënuar me fitore në shtëpi me Lillë. Holandezët kanë 10 pikë, kurse spanjollët dhe londinezët numërojnë nga tetë.

Leipzig në grupin G e ka zgjidhur çështjen e kualifikimit dhe sonte përballet me Lyon, që do vendin e dytë. Benfica e vendit të fundit, me 4 pikë, pret Zenitin që ka tre pikë më shumë dhe po lufton për të kaluar turin. /abcnews/