Federata Malazeze e Futbollit ka miratuar dje një vendim për ndihmë financiare për klubet në dy sezonet e ardhshme, ku do të shpërndahen rreth 5 milionë euro për klubet dhe shoqatat e klubeve.

Një ekip që konkurron në Ligën e Parë do të përfitojë 96 mijë euro në sezon, ndërsa ato që konkurrojnë në Ligën e Dytë do të përfitojnë 60 mijë euro, 10 mijë euro për çdo klub femrash dhe 25 mijë euro për çdo shoqatë të klubit, ndërkohë që ndihma shtrihet deri tek ekipet e të rinjve dhe ato të futsallit.

Përveç ndihmës financiare të lartpërmendur, e cila do të shpërndahet sipas vendosjes së ekipeve në fund të sezonit, klubet malazeze përfitojnë edhe prej fondeve nga shitja e së drejtës televizive dhe basteve. Llogaritja në total përgjatë një sezoni, për një klub të Ligës së Parë, shkon nga 116 mijë euro në një maksimum prej 176 mijë eurosh.

Kjo është një lëvizje që i vjen në ndihmë futbollit të shtetit fqinj, duke ua u bërë më të lehtë ekipeve pjesëmarrjen në kampionatet përkatëse dhe njëkohësisht jep edhe një leksion për FSHF-në, duke qenë se një shtet më i vogël u vjen në ndihmë klubeve me një shifër të tillë në një kohë krize.

Gjithashtu në këtë vendim, një pikë e rëndësishme është edhe parashikimi për pezullimin e burimeve financiare në rast shkeljeje të rregullores së Federatës së Futbollit të Malit të Zi, në bazë të integritetit të garës dhe kur klubi nuk zbaton plotësisht vendimet.