Periudha e keqe që po kalon tek Vllaznia si rrjedhojë e mosaktivizimit për shkak të dëmtimit, ka bërë që Christopher Mandiangu të mos jetë më futbollisti më i shtrenjtë tek skuadra shkodrane.
Përditësimi i vlerave të futbollistëve për muajin dhjetor nga faqja e njohur “transfermarkt”, ka nxjerrë në pah uljen e vlerës së këtij lojtari në treg. Nëse deri një muaj më parë ai vlerësohej 325 mijë euro, tashmë vlera e tij konsiderohet 250 mijë euro.
Me këtë ndryshim, Mandiangu tashmë ka lënë “fronin” e lojtarit më të vlerësuar tek Vllaznia dhe në podium është ngjitur mbrojtësi Abdurrahman Fangaj, i cili ndonëse ende nuk është aktivizuar sepse ndodhet në fazë rikuperimi, sërish vlera e tij ka mbetur 300 mijë euro.
Por Mandiangu nuk është i vetmi futbollist i Vllaznisë i cili ka pësuar rënie në vlerën e tij në treg. Më shumë nga të gjithë e ka pësuar shqiptari i Maqedonisë së Veriut Demir Imeri i cili një muaj më parë vlerësohej 300 mijë euro, ndërsa sot vetëm 150 mijë, ndonëse po luan rregullisht në formacion.
Edhe vlera e Behar Ramadanit ka rënë nga 275 mijë euro në 200 mijë euro. Këto janë të vetmit futbollistë të cilët vlerësohen më pak këtë muaj në krahasim me atë të kaluarin.
Por sakaq, tetë futbollistë të tjerë të Vllaznisë kanë rritje të vlerës së tyre. Këtu përfshihen katër futbollistët e rinj, Enes Isufi i cili nga 50 mijë tashmë vlerësohet në 100 mijë euro, Uheid Hoxha që nga vlera 0 tashmë vlerësohet 75 mijë, ndërsa Eraldo Deda dhe Mehdi Çoba tashmë kanë një vlerësim, 25 mijë euro, nga 0 që kishin muajin e kaluar.
Nga ana tjetër, është rritur ndjeshëm vlera e mbrojtësit Dajan Shehi nga 75 në 200 mijë euro, po ashtu ajo e Ardit Hoxhaj nga 100 mijë në 250 mijë euro sot, si dhe vlerat e brazilianit Victor da Silva nga 25 mijë në 150 mijë si dhe e Herald Markut nga 175 në 250 mijë euro./SHKODRA-SPORT.COM/