Mirel Josa është fokusuar tek ana taktike, pasi dita e ndeshjes po afron dhe trajneri i Vllaznisë kërkon të fiksojë formacionin që do të sfidojë rumunët e Universitatea Kraiovës të enjten në stadiumin “Loro Boriçi”. Në seancat e fundit trajneri ka përzier kartat, duke kërkuar të zbulojë sa më pak të jetë e mundur titullarët, në mënyrë që të mbajë të gjithë grupin në tonus para ndeshjes.

Megjithatë, nga ajo që ka lënë të kuptohet përmes stërvitjeve, por edhe miqësoreve në Austri, trajneri do t’u besojë lojtarëve më në formë për momentin, paçka se ka pasur disa lëvizje së fundmi në merkato. Aktualisht dy prej futbollistëve të afruar në merkaton e verës, që duken më afër formacionit, janë qendërmbrojtësi kroat, Marko Juriç, dhe mesfushori kosovar, Lorik Boshnjaku.

Kur duhen edhe tri përgatitje për ndeshjen, Josa ka kohën e duhur për të shuar të gjitha dilemat, por duket se ai që vendos në mendime trajnerin është pikërisht sulmuesi nga Tuzi, Kristjan Vulaj. Ky i fundit nuk është provuar titullar në asnjë prej miqësoreve, por e ka kapur formën më shpejt nga çfarë mendohej dhe tashmë është një kandidat potencial për të qenë titullar. Por si do të luajë Vllaznia?

Me Zogoviçin të sigurtë në portë, edhe katërshja e mbrojtjes nuk ka dilema, paçka se për një fanellë titullari lufton edhe Dajan Shehi. Në krahun e djathtë do të jetë kapiteni Gurishta, ndërsa në të majtë Hakaj. Në qendër do të luajnë Juriç dhe Bulatoviç. Në mesfushën me tre lojtarë më afër formacionit duken Boshnjaku, Jonuzi dhe Heriç, me këtë të fundit që ka fituar balotazhin me Herald Markun.

Sa i përket fazës ofensive, në majë do të jetë Aralica, ndërsa nga krahët për momentin titullarë shikohen Kruja dhe Hoxhaj. Gjithsesi, një prej tyre do të jetë në balotazh me Vulajn deri në fund, me Josën që duket i dyzuar pasi kërkon të shikojë edhe seancat e radhës për të marrë një vendim përfundimtar për fazën sulmuese. Ndërsa Liridon Latifi pritet që ta nisë nga stoli, po ka pak gjasa të luajë.