Alban Xhaferi mund të quhet nga dje drejtuesi i ri i Vllaznisë. Biznesmeni ka zbritur në fushë teksa ka bërë një takim me skuadrën në seancën e pasdites. Ai u ka dhënë garanci lojtarëve dhe stafit, duke mbajtur një fjalim para startit të stërvitjes.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, biznesmeni që përfaqëson shoqërinë që Bashkia Shkodër firmosi një marrëveshje, jep detaje për mënyrën se si do të funksionojë klubi në vazhdimësi. Objektivi minimal është qëndrimi në Superiore, ndërsa sfida e vërtetë pritet të jetë në sezonin e ri, ku Xhaferi do të ndërtojë skuadrën sipas ideve të tij.

Alban, mund të na tregoni më konkretisht se ku konsiston kjo marrëveshje sponsorizimi?

Nevoja që klubi kishte për të ndryshuar drejtim dhe për ta lënë Vllazninë në duart e privatit bënë që të arrihet një marrëveshje e tillë. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se ka filluar shitja e aksioneve.

Si ta kuptojmë këtë, pasi duket e njëjta situatë me presidentët e tjerë që kanë financuar edhe në të kaluarën në klub, në bashkëpunim me Bashkinë…?

Pak a shumë kalimi i klubit është bërë në formë partneriteti, ashtu siç edhe ka qenë më parë me disa ish-presidentë të Vllaznisë ndër vite. Kjo është një marrëveshje 5-vjeçare dhe normalisht do të kemi akses për të vendosur dhe fonde shtesë. Nuk ka ende një ligj për sa i përket fillimit të shitjes së aksioneve, kjo është e gjitha.

Ju do të cilësoheni vetëm sponsorizues i klubit apo do të keni edhe kompetenca të tjera që mund të na i bëni publike?

Për momentin po, por me ligjin e ri që pritet të miratohet për sportin, biznesi do të ketë edhe lehtësimet e veta në këto kontribute që po jep. Kjo marrëveshje ishte për një partneritet, ndërsa të tjerat do të shqyrtohen pas miratimit të ligjit. Mesa di unë, çështja e ligjit pritet që të marrë një zgjidhje deri në fund të këtij viti.

Çfarë premtoni se do të ndryshoni te Vllaznia?

Është herët për të thënë çfarë pritet që të ndryshojmë në klub. Në këtë moment, ajo që duhet të mendojmë është se si të gjithë së bashku të kontribuojmë që të mbyllim këtë sezon sa më mirë. Së pari, t’i shpëtojmë zonës “play-aut”, apo në rastin më të keq, ekipi të jetë sërish në Kategorinë Superiore në sezonin e ardhshëm.

E keni një ide se çfarë mund të bëni në sezonin e ri?

Nuk mund të them se ndryshimet do të jenë të menjëhershme. Do të shikohet gjithçka me kujdes, në mënyrë që të arrihet më e mira e mundshme në sezonin e ri. Pretendimet janë që kjo skuadër të ndërtohet me objektiva të qartë. Por thashë edhe më lart, në radhë të parë, të mbyllim këtë sezon, e pastaj do të shikojmë për të ardhmen.

Ndryshimet në strukturën e klubit do të fillojnë nga administratori?

Gjithçka në kohën e vet. Momentalisht kemi bërë vetëm hapin e parë. Ky është një partneritet për të bërë të mundur që gjërat te Vllaznia të ndryshojnë për mirë.