Kalidu Kulibali është një nga mbrojtësit më të mirë të globit dhe qëndrimi në Napoli edhe për sezonin e ardhshëm duket i vështirë. Mediet italiane dhe jo vetëm flasin prej muajsh për një largim të tij nga Napoli, çka do i hapte vendin Rrahmanit në qendër. Kapiteni i Kosovës do i bashkohet të kaltërve në fund të sezonit.

Gjithsesi, kalimi i Rrahmanit në Napoli mund të mos jetë edhe aq i lumtur për shkak të Kulibali. Senegalezi ka dhënë një intervistë për mediet italiane dhe duket mjaft i frustruar me atë çka thonë mediet. Ai tregon se është i lumtur te Napoli dhe nuk ka asgjë në horizont mbi largimin e tij. 29-vjeçari nuk e përjashton aspak idenë e qëndrimit në Napoli dhe nëse qëndron, Rrahmanit do i duhet shumë luftë për të siguruar një vend titullari në formacionin e Gatuzos.

“Familja ime po kalon shumë mirë në Napoli dhe kjo më bën të lumtur. Nëse unë kam qenë këtu për gjashtë vjet, kjo është vetëm falë tyre sepse nëse ata nuk do të kishin qenë mirë, unë do të kisha ikur tashmë. Dëgjoj që do të iki, por jam mirë këtu. Nuk e kuptoj pse duhet të flasim për tregun e transferimeve kur nuk ka asgjë në horizont. Nuk kam folur kurrë me klubin për tu larguar.

Nëse duhet të gjejmë një zgjidhje do ta gjejmë, por asnjëherë nuk kam folur për këtë. Thjesht dua të mendoj për të luajtur, unë jam 100% i Napolit. Më shqetësojnë lajmet e përditshme se do të shkoj në këtë apo atë klub evropian. Do të shohim se çfarë do të vendosë presidenti dhe nëse do të propozojë zgjatjen e kontratës, do e përfundoja karrierën time këtu”, u shpreh Kulibali. /vipsport/