Dhjetë fitore në 11 ndeshje radhazi të luajtura në elitën e futbollit shqiptar janë një rekord për historinë e klubit të Laçit. Kurbinasit kanë një ecuri fantastike me Mirel Josën në krye, teksa për herë të fundit kanë provuar të humbasin në javën e 10-të të kampionatit, kur luanin ndaj Vllaznisë në Shkodër dhe ndeshja përfundoi 1-0 për kuqeblutë.

Që prej takimit të luajtur më 27 nëntor 2021 në “Loro Boriçi”, te bardhezinjtë ka vetëm rezultate pozitive.

Rekordin absolut të 11 fitoreve radhazi e prish vetëm transferta ndaj Skënderbeut në Korçë për javën e 16-të të kampionatit.

Fillimisht kurbinasit mposhtën 5-0 Dinamon e më pas arritën të triumfonin 1-2 ndaj Kukësit në “Air Albania”.

Kulmi ishte në javën e 13-të, kur i shkaktuan Tiranës humbjen e parë. Më pas vjen fitorja e pastër me shifrat 0-2 në Rrogozhinë ndaj Egnatias, për të vijuar me një rezultat të njëjtë kundër Kastriotit.

Barazimi pa gola në Korçë rezultoi rastësi, pasi në vijim skuadra e Josës u bë edhe më imponuese. Mposhti 4-2 Teutën e më pas tri rezultate radhazi 1-0 me Partizanin, Vllazninë dhe Dinamon.

Së fundmi, kurbinasit likuiduan edhe Kukësin me shifrat e pastra 3-0. Tashmë prova e së vërtetës për bardhezinjtë është përballja me rivalin direkt, Tiranën, pikërisht këtë të shtunë në orën 16:45 në “Air Albania”.

Diferenca është ngushtuar në tri pikë dhe një tjetër triumf i Laçit do të ishte një mrekulli.

Megjithatë, në situatën ku ndodhet kam pionati dhe për më tepër që Tirana kryeson prej javësh, edhe një pikë në kryeqytet do të cilësohej rezultat pozitiv për kurbinasit.

Josa është munduar të mbajë një profil të ulët sa u përket deklaratave, pasi nuk do të fusë në presion ekipin me fjalën… titull.