Shqipëria U-19 për femra ka mbyllur ditën e sotme përgatitjet për ndeshjen e tretë dhe të fundit ndaj Uellsit, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2022.
Ekipi Kombëtar zhvilloi seancën e fundit stërvitore për këtë turne në stadiumin e Andorrës, “Estadio Nacional”, nën drejtimin e trajnerit Krepi që e kishte të gjithë skuadrën në dispozicion. Stërvitja zgjati rreth 1 orë, me vajzat që zhvilluan edhe një lojë të shkurtër, ku fokusi kryesor i teknikut kuqezi ka qenë përmirësimi i pjesës ofensive si dhe zhvillimi i ushtrimeve taktiko-teknike.
Në prag të ndeshjes që do të zhvillohet ditën e nesërme duke nisur nga ora 15:00, ku vajzat kuqezi do të kërkojnë të marrin tre pikët e radhës dhe të kualifikohen në Ligën A, ka folur për fshf.org futbollistja Matilda Tanushi.
Ajo tha se objektivi i vetëm i ndeshjes kundër Uellsit është fitorja, si dhe u shpreh e lumtur që i dha tre pikëshin ekipit me golin që shënoi në minutën e 90-të ndaj Andorrës.
“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Jemi shumë të lidhura me gocat. Vijmë pas dy ndeshjeve ku jemi paraqitur mirë, pas një barazimi me Moldavinë, ku kishim mundësi ta fitonim, por e kompensuam në ndeshjen me Andorrën, edhe pse goli erdhi në minutën e 90-të, ne e fituam atë ndeshje.
Nesër kemi ndeshjen e radhës me Uellsin dhe duam të fitojmë, ky është synimi ynë për nesër. Do luftojmë vetëm për tre pikëshin. E lumtur për golin? – Shumë e emocionuar, sepse ishte goli që i dha tre pikët ekipit, një fitore që na nevojitej dhe jam shumë e lumtur që u bë në minutën e 90-të”– tha Tanushi.