FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREMbrojtja e Vllaznisë në provë, pritet reagimi

Mbrojtja e Vllaznisë në provë, pritet reagimi

Shkruar nga Endri ÇINARI

Mbrojtja e Vllaznisë duket se po shfaqet si një nga pikat më të dobëta të skuadrës shkodrane në startin e këtij edicioni të ri. Edhe pse kampionati sapo ka nisur dhe është ende herët për të nxjerrë përfundim, ajo që u pa në ndeshjen e parë sezonale ka rikthyer në vëmendje një problematikë që kuqeblutë duhet ta zgjidhin sa më shpejt. Prapavija nuk dha sigurinë e kërkuar dhe Vllaznia pagoi shtrenjtë momentet e pasigurisë së saj.

Përballë një kundërshtari që kishte një ekip shumë të ri në fushë dhe që, për më tepër, nuk ishte në kushtet më të mira për shkak të problematikave që lidhen me vonesat e pagave nga sezoni i kaluar dhe bllokimit ende në fuqi nga FIFA, shkodranët duhej të kishin treguar më shumë kontroll. Në vend të kësaj, Vllaznia u shfaq e brishtë në prapavijë dhe nuk arriti të ruante avantazhin e dyfishtë që kishte krijuar gjatë ndeshjes.

Nga 2-0, kuqeblutë u detyruan të kënaqeshin vetëm me një barazim 2-2, një rezultat që lë shije të hidhur për mënyrën sesi rrodhën ngjarjet në fushë. Më shqetësues është fakti se në fazën e fundit të takimit kundërshtari arriti të marrë kontrollin dhe të dominojë dukshëm lojën, duke e vënë disa herë në vështirësi serioze repartin mbrojtës të Vllaznisë.

Kjo është një situatë që kërkon vëmendje të veçantë nga Edi Martini. Mbrojtja mbetet një “kantier i hapur”, ku trajneri duhet të gjejë sa më parë njerëzit e duhur dhe, mbi të gjitha, balancat e nevojshme mes reparteve. Nuk mjafton vetëm cilësia individuale e futbollistëve, por kërkohet organizim, komunikim dhe një funksionim më i mirë i të gjithë fazës mbrojtëse.

Problemet në prapavijë nuk mund t’i faturohen vetëm mbrojtësve, pasi në shumë raste ekuilibri i skuadrës nis që nga presioni i sulmuesve dhe puna e mesfushës. Vllaznia duhet të jetë më kompakte, të mbyllë më mirë hapësirat dhe të tregojë më shumë qetësi në menaxhimin e momenteve kur ka rezultatin në favor. Pikërisht këto detaje mund të bëjnë diferencën në një kampionat të gjatë dhe të vështirë.

Për këtë arsye, Edi Martini ka shumë punë përpara për të sistemuar një repart që, nëse nuk gjen shpejt stabilitetin e duhur, mund të kthehet në një pengesë serioze për objektivat e skuadrës. Vllaznia ka nevojë të ndërtojë vazhdimësi, por kjo vështirë se mund të arrihet pa një mbrojtje solide. Starti i sezonit ka dhënë sinjalin e parë të alarmit dhe tashmë mbetet për t’u parë nëse shkodranët do të arrijnë ta shndërrojnë këtë problematikë në një pikë force gjatë javëve të ardhshme.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments