Merkato patjetër që do jetë një temë e nxehtë deri në fundin e këtij muaji. Lëvizjet e futbollistëve do jenë në fokusin e mediave e po ashtu të publikut. Një ndryshim ekipi duket se po bën edhe mesfushori shkodran, Uheid Hoxha.
Futbollisti që ishte pjesë e Teutës sezonin e shkuar, nuk do vijojë me bregdetarët. Dhe ky është një fakt që dihet prej disa kohësh tashmë. Aventura e re e 23-vjeçarit duket se do jetë tashmë tek Kastrioti.
Sipas burimeve të “Shkodra Sport” mësohet se parimisht është rënë dakord që mesfushori të jetë pjesë e krutanëve në sezonin e ri. Megjithatë nuk ka ende asnjë konfirmim zyrtar për momentin nga ana e klubit.
Hoxha është formuar në akademinë Vllaznia dhe i përket vit lindjes 2000. Gjatë karrierës së tij deri më tani ai ka luajtur me Besen e Kavajës në Kategorinë e Parë, Vllazninë dhe Teutën në Superiore. Tashmë do pritet këto ditë se cila do jetë lëvizja e rradhës e fantazistit.
Endri ÇINARI