Kristian Panuçi ka vetëm pak muaj në drejtimin e përfaqësueses shqiptare dhe nuk ka regjistruar ende asnjë rezultat domethënës në ndeshje zyrtare me kuqezinjtë.

Por që tani, rreth tij kanë filluar të qarkullojnë zërat për një largim të mundshëm nga pankina e përfaqësueses, për t’u kthyer në futbollin italian.

Sipas mediave italiane, emri i Panuçit është përmendur së fundmi pranë një klubi të Serisë A, SPAL, që po noton në ujëra të turbullta në kampionatin përtej Adriatikut duke rrezikuar të kthehet shumë shpejt nga erdhi, në Serinë B.

“La Nuova Ferrara”, e përditshmja e qytetit të Ferrarës ku gjendet ekipi i SPAL, ka shpjeguar situatën e trajnerit shqiptar.

“Dje, ka dalë në skenë edhe emri i Kristian Panuçit, ish-mbrojtës i Milanit, Real Madridit, Interit dhe Romës, ish-zëvëndës i Kapelos te Rusia, trajner i Livornos dhe Ternanës dhe aktualisht trajneri i Kombëtares shqiptare.

Nga kjo e fundit mund të shkëputet për të marrë drejtimin e një pankine në Itali”, sqaron e përditshmja sa u përket zërave për të marrë drejtimin në rast shkarkimi të Leonardo Sempliçit, trajnerit që shkroi historinë me këtë skuadër duke e ngjitur në Serinë A. /vipsport/