Mehdi Çoba është zbulimi i momentit te shkodranët. Sulmuesi 21-vjeçar që sezonin e shkuar ishte pjesë e ekipit U21 të Vllaznisë, shpreson dhe beson që këtë vit të jetë përcaktues me golat e tij te skuadra e parë. Në ndeshjet e fundit miqësore, Çoba ia ka dalë që të shënojë tre gola në po kaq ndeshje.

Në barazimet 1-1 me Buduçnost dhe 2-2 me Novi Pazar, Çoba ka shënuar golat e Vllaznisë. Drejtuesit shkodranë po kërkojnë sulmues për sfidat europiane dhe për sezonin e ri, ndërkohë që Çoba mund të jetë pikërisht lojtari i duhur. Trajneri Tomas Brdariç me sa duket, po i jep lojtarit besimin e duhur, ndërsa vetë Çoba në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” tregon për momentin që po kalon.

Tre gola në tri miqësoret e para të përgatitjeve për sezonin e ri. A e shikon Çoba veten pjesë të skuadrës së parë?

Mund të them se ishte një fazë shumë pozitive për mua, si për të arritur formën më të mirë fizike ashtu edhe për të qenë në ritmin e duhur të një ekipi pretendent. Zhvilluam edhe ndeshje shumë të mira. Unë jam pjesë e grupit që në sezonin e shkuar dhe nuk e kam ndier veten ndonjëherë të përjashtuar nga askush.


A prisni tani më shumë minuta edhe nga stafi?

Çdo lojtar pretendon që të ketë sa më shumë minuta në këmbët e tij. Një gjë të tillë patjetër që e dua edhe unë. Çdo gjë varet nga unë dhe puna ime për të treguar vlerat që kam.


Mendoni se do të jetë ky sezoni juaj?

Them se e kam nisur mirë në këtë fazë përgatitore. Uroj që ta vazhdoj me të njëjtin ritëm në Europë dhe, pse jo, edhe në kampionat.


Cili është pozicioni ideal, ku ju mund të jepni më të mirën?

Unë që te moshat kam luajtur në të tria pozicionet e sulmit. Pra, si në krah, si sulmues qendre apo edhe një gjysmësulmues. Në sulm nuk kam probleme me përshtatjen, pastaj do të aktivizohem ku trajneri dhe stafi teknik ta shikojë se nevojitem. Atëherë prej meje pritet që të jap më të mirën.


Sa ju ka vlejtur kjo minifazë, juve dhe ekipit në tërësi?

Kjo fazë ka vlejtur me të vërtetë shumë për gjithë ekipin. Kemi marrë ngarkesën e duhur fizike me nga dy seanca stërvitore në ditë dhe patjetër ndeshjet që kemi zhvilluar na kanë ndihmuar edhe më tepër të jemi në sinkron me lojën. Duhet falënderuar gjithë stafi i Vllaznisë për gatishmërinë e tyre dhe punën serioze duke bërë çdo gjë të lehtë për ne.


Kur shënuat golin e dytë ndaj Novi Pazarit, pamë që shkuat dhe u përshëndetët me trajnerin. Një sinjal ky që tani ka ardhur koha që të mbani ju peshën e goleadorit?

Marrëdhëniet me trajnerin Brdariç, por edhe gjithë stafin janë të mrekullueshme. Ne jemi si një familje e madhe te Vllaznia, ku të gjithë ndihen të barabartë. E përqafova sepse ai është gjithmonë pranë nesh dhe për këtë arsye duhet ta falënderoj. Patjetër faleminderit të gjithëve që kanë ndihmuar në ngritjen time dhe uroj që t’ua shpërblej me gola.

Një falënderim i veçantë nga ana ime shkon edhe për ish-drejtorin e ekipeve kombëtare, Xhemal Mustedanagiç, që ka pasur gjithmonë besim tek unë për të shfaqur vlerat e mia. Në ditët e fundit edhe ai më ka telefonuar për të më uruar për paraqitjen time.

Vllaznia ka larguar disa futbollistë nga sezoni i kaluar, por edhe ka afruar disa të tjerë. Si e shikoni të ardhmen e këtij ekipi në sezonin e ri, që nis nga prezantimi në Europë?

Vllaznisë ia kërkon historia dhe fanella që gjithmonë të hyjë si pretendente dhe ballëlartë në çdo sezon. Pavarësisht largimeve apo afrimeve, ajo që ka rëndësi është Vllaznia. Patjetër që na janë larguar disa lojtarë cilësorë, por besoj se stafi po i merr masat për zëvendësimin e tyre.

Ka forca kjo Vllazni që të shkojë përtej këtij turi në Konferencë Ligë?

Jam i bindur, si dhe ekzistojnë mundësitë reale që Vllaznia ta kalojë këtë tur. Nuk e shikojmë si të pamundur. Të gjithë në skuadër janë optimistë dhe të motivuar në maksimum për të bërë më të mirën dhe për ta kaluar Shirokin.